Gjatë seancës së sotme në Kuvend, ku u diskutua për pandeminë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka akuzuar paraardhësin e tij, Armend Zemaj, për blerje të autoambulancave me çmim më të shtrenjtë se herën e shkuar, ndonëse ato kanë specifika të njëjta.
E Zemaj, pos që e mohoi këtë, tha se nëse vërtetohet kjo, ai do ta dorëzojë mandatin e deputetit.
Ai tha se ato i ka gjetur të blera nga Vitia, i cili udhëhiqte me këtë dikaster para tij.
“Me përgjegjësi të plotë, autoambulancat i kam gjetur të blera nga qeveria që e ke lënë ti, nëse nuk kanë qenë të blera, unë sot e dorëzoj mandatin e deputetit. 20 për qind më shtrenjtë nga ju, jo nga unë. Tri ose katër autoambulanca kanë qenë të blera në mandatin tuaj si ministër, e iniciuar procedura, e blerë dhe e përfunduar, ne vetëm i kemi shpërndarë”, ka thënë Zemaj.
Vitia e ka akuzuar se Zemaj ka blerë autoambulanca 20 për qind më shtrenjtë se normalja që ka qenë standardi për shumë vjet.
Edhe
Opozita e akuzon për keqpërdorime, ministri Vitia fton Prokurorinë për hetime
Por në dokumentacionin që janë të publikuara në "e-prokurim" për blerje të autoambulancave, del se e gjithë procedura është kryer në mandatin e Zemajt.
Tenderi për furnizim me autoambulanca është hapur më 31 gusht 2020. Tri ditë më parë, ishte dhënë zotimi i disponueshmërisë së mjeteve.
E më 21 tetor ishte bërë raporti i vlerësimit.
Përmes këtij tenderi, janë blerë katër autoambulanca. Çmimi për njësi është 55.000 euro me TVSH. Ndërkohë, më 2019, autoambulanca me specifika të njëjta ishin blerë për 49.800 për njësi. Bëhet fjalë për autoambulanca “Type A2”.
Po sipas dokumentacionit në disponim, del se autoambulancat i janë dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë më 9 shkurt 2021, kur ishte ende qeveria Hoti, përkatësisht Zemaj ishte ministër i Shëndetësisë. Tri ditë më vonë, e gjithë kjo ishte finalizuar me firmën e ministrit Zemaj në atë kohë.
Edhe
Vitia: Nga fundi i vitit, qytetarët do t’i blejnë barnat më lirë
Qeveria Hoti ishte në detyrë nga 3 qershor 2020 deri më 22 mars 2021.