Austria ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Këtë e ka thënë në një takim me drejtorin e Agjencisë Anti-Korrupsion Shaip Havolli, zëvendësministrja e Brendshme e Austrisë, Karoline Edstdadler.
Sipas njoftimit, Edstadler “ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të Austrisë për Kosovën dhe përkrahjen e institucioneve vendore në përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, rezultatet e të cilave do të kenë efekt pozitiv në liberalizimin e vizave dhe përafrimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.
“Gjatë takimit është diskutuar edhe për sfidat dhe për proceset integruese që po kalon Kosova, për zotimet e institucioneve Kosovare në angazhimet rajonale dhe ndërkombëtare në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Samiteve rajonale, si dhe për mënyrën e fuqizimit të mëtejme të rolit të Agjencisë Kundër Korrupsionit në luftimin e korrupsionit. Po ashtu, janë diskutuar mënyrat e gjetjes së aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta në edukimin dhe vetëdijesimin e pasojave e korrupsionit dhe për rëndësinë e integritetit të zyrtarëve të lartë publik dhe institucioneve publike”, thuhet më tej në njoftim.