Arbëri

Asnjë artikull bazik s’i shpëton shtrenjtimit, kërkohet zgjidhje me zbritje TVSH-je

Rritje drastike të çmimeve ka pasur në derivate, në vaj, në vezë, në perime e në mishra. Përveç mollëve, asnjë nga artikujt bazikë të listuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës nuk ka mbetur pa u shtrenjtuar. Për ta zbutur këtë situatë me çmimet, ekonomisti Erton Bega ka thënë se duhet shqyrtuar mundësinë e heqjes së akcizës dhe TVSH-së për disa produkte bazike

Për shportën e njëjtë me produktet bazike ushqimore, këtë vit qytetarët po paguajnë 14 euro më shtrenjtë se një vit më parë. Sipas raporti të publikuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, në përgjithësi, çmimet e produkteve të konsumit krahasuar me vitin e kaluar janë shtrenjtuar për 12.5 për qind. Për një litër vaj në vitin e kaluar qytetarët kanë paguar 1 euro e 55 centë, derisa tash çmimi i tij ka shkuar deri në 3 euro. Mbi 1 euro më shtrenjtë po paguhet edhe për kompletin e vezëve, mishin e pulës e të viçit. Sipas ASK-së, për një kilogram speca në muajin që shkoi u pagua 3 euro e 82 centë, apo 2 euro e 60 centë më shtrenjtë se vitin e kaluar. Rritje të tillë ka pasur edhe në miell, bukë, qumësht e sheqer. Nga 24 produktet ushqimore bazike të listuara në “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” të ASK-së, vetëm mollët janë liruar për 5 centë, e të gjitha produktet e tjera janë shtrenjtuar.

Për ta zbutur këtë situatë me çmimet, ekonomisti Erton Bega ka thënë se duhet shqyrtuar mundësinë e heqje së akcizës dhe TVSH-së për disa produkte bazike. Ai ka thënë se inflacioni tashmë i ka rritur të hyrat e buxhetit, rritje të cilën ai vlerëson se shteti duhet ta kthejë në ndihmë ndaj qytetarëve. Kësisoj Bega ka theksuar se nëse ulet TVSH-ja, në të njëjtën shumë automatikisht do të uleshin edhe çmimet e produkteve.

“Heqja e akcizës apo e TVSH-së për një periudhë të caktuar apo reduktimi i tyre do të ishte një hap i duhur drejt stabilizimit të çmimeve, duke e pasur në konsideratë rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve që ka ndodhur muajt e fundit si rrjedhojë e konfliktit në Ukrainë”, ka thënë ai për “Ekonomia Online”.

Rritje të çmimeve ka pasur edhe te karburantet. Sipas ASK-së, në majin e një viti më parë një litër benzinë ka kushtuar 1 euro e 8 centë dhe një litër naftë 1 euro e 5 centë. Të shtunën çmimi i benzinës është ngritur në 1 euro e 88 centë për litër, ndërsa ai i naftës në 1 euro e 86 centë. Ekonomisti Emanuel Bajra ka thënë se duhet dinamizim i Qeverisë për t’i kontrolluar luhatjet e shpejta me këto çmime, të cilat ka thënë se po lëvizin sipas interesave të naftëtarëve.

“Shihet njëfarë lloj oportunizmi për shkak se katandisjet e mëdha dhe luhatjet e mëdha në çmimore shihen prej disa furnizuesve si në Kosovë, si në rajon e gjithandej, si një mundësi e përfitueshmërisë. Kjo është shqetësuese”, ka thënë Bajra.

Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, për gati 10 euro është rritur edhe çmimi i metrit të druve për zjarr. Kjo rritje e çmimeve po konsiderohet enorme edhe nga opozita. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka propozuar reduktimin e TVSh-së prej 18 në 8 për qind për disa produkte. Ai ka thënë se ligji ia mundëson ministrit të Financave që ta zgjerojë listën e produkteve me normë të reduktuar për të përfshirë aty mallra ushqimore për konsum të njerëzve e edhe të kafshëve.

“Është e pakuptueshme përse, pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18 për qind në 8 për qind edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet”, ka thënë Hoti.

Qeveria deri më tash ka ndërmarrë disa masa që kanë të bëjnë vetëm me kontrollin e çmimit të derivateve dhe jo të produkteve të tjera. Së fundmi, sipas një draft-vendimi që ka siguruar KOHA, ekzekutivi synon ta zbresë çmimin e naftës deri në 12 centë. Me këtë draft-vendim kufizohet fitimi për litër të derivateve. Nga dy deri në tre centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa nga gjashtë deri në dhjetë centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë. Nëse i njëjti hyn në fuqi, nga naftëtarët është paralajmëruar se do t’i mbyllin pompat e derivateve. Këtij drafti i ka paraprirë një vendim i Qeverisë i datës 1 mars me të cilin ishin përcaktuar çmimet maksimale shitëse të naftës me shumicë dhe pakicë. I njëjti ka skaduar më 31 maj.