Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asllani: Për një jetë normale pensionet duhet të jenë 350-400 euro

Sekretari i Organizatës së Pensionistëve të Prishtinës, Asllan Asllani, ka thënë se 100 eurot e ndara së fundmi nga Qeveria e Kosovës edhe për pensionistët janë si një lloj bonbone, e cila nuk kryen punë por për të cilën duhet të thuhet faleminderit.

Asllani ka thënë të premten në emisionin “Sot” të KTV-së se një pensionist për të jetuar jetën normale duhet të ketë pension në vlerë 350 deri në 400 euro.

“Premtimi se do t’i marrim edhe 100 euro, kjo do të thotë si me ta dhënë një bonbone. Ajo është e mirë por a kryen punë diçka, jo, por të detyron të thuash faleminderit. Po i marrim 100 euro, faleminderit që po i marrim, të mira janë, por a po kryejnë punë, jo. Një pension për të jetuar jetën normale, përfshirë edhe ilaçet duhet të jetë 350-400 euro”, ka thënë Asllani.

Sipas tij, pensionistët nuk janë në gjendje që me një pension t’i paguajnë obligimet si energjia elektrike, uji, mbeturinat, dhe ilaçet për të cilat shumica kanë nevojë.

Asllani ka shprehur keqardhjen edhe për largimin e të rinjve nga Kosova, duke thënë se për këtë janë fajtorë qeveritë e pasluftës të cilat nuk kanë ndërtuar fabrika për të hapur vende të punës.