Indeksi vjetor i inputeve në vitin e kaluar ka shënuar rënie 2.8% për input 1, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Në Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi për periudhën 2015-2017, të publikuar nga ASK, thuhet se indeksi për Input 2 ka rritje për 1% ndërmjet viteve 2017 dhe 2016, derisa indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 +Input 2) ka rënie për 1.1%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
Sipas ASK-së, në vitin 2017, indeksi vjetor i Inputeve ka shënuar rënie 4.6% për input 1, krahasuar me vitin 2015. Indeksi për Input 2 ka rritje 3.2% ndërmjet viteve 2015-2017, derisa indeksi i inputit të përgjithshëm Input 1 + Input 2 ka rënie për 1.1%, krahasuar me vitin 2015.
Publikimi është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.
Produktet, të cilat e përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve, janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2).
Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.
Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët tjera përveç përmirësimit të tokës).