BE-ja ka humbur tri raste të rëndësishme për Kosovën. Ka dështuar në vitin 2007 të mbështesë unanimisht Pakon e Ahtisaarit. Ka dështuar më 18 shkurt 2008 të ketë qëndrim politik të përbashkët për njohjen e Kosovës si shtet. Ka dështuar në vitin 2011 për të njohur shtetësinë e Kosovës nga të gjitha shtetet, pasi më nuk vlente arsyetimi se me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. 14 vjet më vonë akoma 5 vende të BE-së mbajnë qëndrimin e njëjtë si Rusia e jo si shumica e madhe e vendeve të BE-së dhe NATO-s. Pasojat janë të mëdha për Kosovën, por edhe për kredibilitetin e BE-së që synon të jetë “aktor global” e nuk ka qëndrim as për një çështje të rëndësishme në oborrin e saj
Për nga natyra shpalljet e pavarësisë së një shteti janë unilaterale. Pra një pushtet i një territori shpall pavarësinë e vet. Por nuk ka shpallje të pavarësisë, e cila ka qenë më pak unilaterale sesa ajo e Kosovës para 14 vjetësh.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte një hap deri në detaje i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare. Ishte pikërisht nevoja për një koordinim të tillë që na ndihmoi që në “Kohën Ditore” dy herë, shumë javë para shpalljes së pavarësisë, ta paralajmërojmë me saktësi se kur do të shpallet pavarësia.
Ky koordinim është i rëndësishëm edhe sot për të sqaruar se si Bashkimi Evropian doli të jetë elementi kryesor, i cili nuk iu përmbush marrëveshjes dhe pritjeve që kishin ekzistuar në ndërmarrjen e përbashkët të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Dy data ishin si opsion. Data e parë ishte 17 shkurti dhe data e dytë 9 marsi. Të dyja këto data ishin të lidhura me faktin se të nesërmen, pas secilës nga këto data, do të zhvillohej takimi i rregullt i Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së. Kjo ishte e rëndësishme, që BE të ishte organizata e parë e cila do të merrte një qëndrim të përbashkët për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë mënyrë BE-ja do të deklarohej para se Rusia të kishte mundësi që në New York të thërriste një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dhe kur për një çështje evropiane, siç ishte statusi i Kosovës, të deklarohej BE-ja, atëherë kjo do të kishte ndikim në botë.
Data 9 mars ishte përmendur si opsion rezervë, sepse në Spanjë atë ditë zhvilloheshin zgjedhjet. Pasi mendohej se Pavarësia e Kosovës do të jetë një gjë e ndjeshme për Spanjën, pati tentime që Kosova të presë zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.
Nga ana e Kosovës nuk kishte kundërshtim. Por ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe që donin garanci nga Spanja se nëse shtyhej për 9 mars shpallja e pavarësisë, atëherë Spanja do ta njohë pavarësinë bashkë me shtetet e tjera perëndimore. Por nga Spanja nuk u mor asnjë sinjal pozitiv. Prandaj edhe u vendos se nuk ka nevojë të pritej dhe pavarësia do të shpallej më 17 shkurt.
Jo vetëm datën, por edhe tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, pastaj tekstin e Kushtetutës, dizajnin e flamurit, kriteret për himnin e shumë gjëra të tjera i kishte caktuar bashkësia ndërkombëtare. Edhe etapat e hapave që do të pasonin, datat se kur cili shtet do ta njohë Kosovën, ishin të koordinuara. Edhe detyrat se cili shtet perëndimor do të lobojë në cilën pjesë të botës për njohjen e pavarësisë ishin caktuar.
Vetë shpallja e Pavarësisë erdhi pas një procesi politik ndërkombëtar, i udhëhequr nga Marti Ahtisaari, si i dërguar i posaçëm i OKB-së. Dhe në atë proces kujdes i veçantë u kishin kushtuar nevojave të BE-së dhe rolit që ajo pritej ta luante në vazhdim të procesit. Në ekipin e Ahtisaarit kishte edhe përfaqësues të BE-së. Edhe në Troikën që pasoi pas propozimit të Ahtisaarit, krahas përfaqësuesit të SHBA-së dhe Rusisë, ishte edhe ai i BE-së.
Prandaj doli si befasi e madhe kur BE-ja u përça keq rreth statusit të Kosovës. Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, në kundërshtim me një pajtim që kishin më herët, që asnjë shtet i BE-së të mos bëjë deklarata individuale pa dhënë deklaratën e përbashkët të Këshillit të Bashkimit Evropian, doli para gazetarëve në orët e hershme të mëngjesit për ta quajtur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës si “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe duke e prishur në këtë mënyrë harmoninë në BE. Kjo ishte befasuese, sepse pikërisht me kërkesë të Spanjës, në draftin e Deklaratës ishte theksuar qartë se Kosova është ”sui generis”.
Ishte kjo hera e dytë që BE-ja e kishte tradhtuar procesin, ku vetë e kishte rolin kryesor. Një vit më herët një numër i vogël i shteteve të BE-së nuk e kishin mbështetur Pakon e Ahtisaarit.
Kështu ministrat e BE-së, nën kryesimin e ministrit të Jashtëm të Sllovenisë, Dimitrij Rupel, nxorën një deklaratë të pazakonshme. Në të u shprehën: “Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën me të cilën e shpalli Kosovën si të pavarur. Këshilli merr në dijeni se kjo rezolutë e obligon Kosovën për respektimin e parimeve të demokracisë dhe barazisë së qytetarëve të saj, mbrojtjen e serbëve dhe minoriteteve të tjera, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe mbikëqyrje ndërkombëtare”.
Këshilli po ashtu nënvizoi se BE-ja u mbetet besnike parimeve të Kartës së OKB-së dhe Aktit final të Helsinkit, përfshirë edhe parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe rezolutave të Këshillit të sigurimit të OKB-së. “Nënvizon besimin se, duke pasur parasysh konfliktet e viteve 1990 dhe periudhën e zgjatur të administrimit ndërkombëtar nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Kosova paraqet një rast “sui generis”, që nuk vë në pikëpyetje këto parime dhe rezoluta”.
Në Komunikatën e Këshillit të BE-së flitej edhe për gatishmërinë që BE-ja të luajë rolin në terren në Kosovë përmes pranisë së vet dhe përshëndetej edhe gatishmëria e pranive të tjera ndërkombëtare.
Asgjë në këtë reagim të parë të BE-së nuk u tha për vetë statusin dhe qëndrimin e BE-së për të.
Ky ishte një dështim i madh politik i BE-së, pasojat e të cilit po ndihen edhe sot, edhe për Kosovën, por edhe për BE-në. Shumica e madhe e vendeve të BE-së e njohën Pavarësinë e Kosovës, por 5 vende (Greqia, Qiproja, Sllovakia, Rumania dhe Spanja) nuk e njohën. Ato patën interpretimin se duke mos e njohur Pavarësinë e Kosovës, po e “respektojnë të drejtën ndërkombëtare”. Në këtë mënyrë dolën në anën e Rusisë e kundër shumicës së vendeve të BE-së.
Institucionet e BE-së vendosën të përdornin një argument formal, duke thënë se “BE-ja nuk njeh shtetet, por kjo është kompetencë individuale e vendeve anëtare”. Por kjo nuk është krejtësisht e vërtetë. BE-ja zakonisht merr qëndrim politik për njohjen e shteteve, ndërsa këtë e formalizon secili vend anëtar, duke vendosur raporte diplomatike me atë shtet.
Para Kosovës, pavarësinë e kishte shpallur Mali i Zi. Në atë rast, BE-ja u kishte bërë thirrje vendeve të saja anëtare që “të vendosin raporte me Malin e Zi si shtet sovran”. Në rastin e Kosovës nuk kishte pajtim për këtë e nuk ka as sot.
Në 14 vjet që nga shpallja e Pavarësisë rol më të madh në BE rreth Kosovës kanë shtetet të cilat janë akoma kundër Pavarësisë sesa shumica e madhe e atyre që e kanë njohur.
Prej kur nisi dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nëpunësit e BE-së në Bruksel kanë krijuar një situatë në të cilën ndasitë rreth statusit po paraqiten si diçka pozitive për BE-në, sepse kjo e bën BE-në “ndërmjetësues të duhur, i cili nuk është as në anën e Kosovës e as në atë të Serbisë”. Por ky është një qëndrim edhe i gabuar, edhe i pasaktë, sepse vendet qe e kanë njohur Kosovën nuk janë kundër Serbisë dhe e njohin edhe Serbinë. Ndërsa vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën e parandalojnë BE-në që Kosovën ta trajtojë si shtet, pasi për raporte me shtetet e treta në BE vendoset me konsensus.
Ky qëndrim i BE-së që nga data 18 shkurt 2008, kur kishte dështuar të ketë një qëndrim unik për statusin e Kosovës, ka bërë dëm të madh në përpjekjet për arritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe njohjen nga shtetet e tjera. Kjo është keqësuar edhe më shumë për shkak të dialogut të cilin Serbia, me shumë sukses, po e paraqet si dëshmi se “statusi i Kosovës nuk është çështje e kryer”.
BE-ja ka humbur tri raste të rëndësishme për Kosovën. Ka dështuar në vitin 2007 të mbështesë unanimisht Pakon e Ahtisaarit. Ka dështuar më 18 shkurt 2008 të ketë qëndrim politik të përbashkët për njohjen e Kosovës si shtet. Ka dështuar në vitin 2011 për të njohur shtetësinë e Kosovës nga të gjitha shtetet, pasi më nuk vlente arsyetimi se me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. 14 vjet më vonë akoma 5 vende të BE-së mbajnë qëndrimin e njëjtë si Rusia e jo si shumica e madhe e vendeve të BE-së dhe NATO-s. Pasojat janë të mëdha për Kosovën, por edhe për kredibilitetin e BE-së që synon të jetë “aktor global” e nuk ka qëndrim as për një çështje të rëndësishme në oborrin e saj.
Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së që ka mbështetur Pavarësinë e Kosovës, pasi në këtë institucion vendoset me shumicë demokratike e jo me konsensus. Për më tepër, Parlamenti Evropian që nga viti 2008 vazhdon të kërkojë nga 5 vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë. Por këto rezoluta të Parlamentit Evropian, ndonëse janë një qëndrim politik, nuk janë ligjërisht obliguese për shtetet anëtare.