Austria ka refuzuar mbulimin e Kosovës me Kartonin e Gjelbër, pavarësisht se Kosova ka krijuar bazë ligjore, duke krijuar 4 milionë euro fond rezervë.
Arsyetimi që ka dhënë Shoqata e Anëtarëve në Austri për refuzimin që i ka bërë Kosovës është se do t’i rrezikonin anëtarët e vetë, raporton KTV.
Pavarësisht se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për të qenë anëtare në Këshillin e Byrove, barrierë mbetet mosanëtarësimi i shtetit në OKB.
Drejtues të Byrosë Kosovare të Sigurimit kanë bërë të ditur se mbetet shqetësues numri i veturave të pasiguruara në trafik, që është në mes 35 deri 50 mijë.
Sipas Blerim Pushkollit, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurime, automjetet e pasiguruara paraqesin vazhdimisht rreziqe në komunikacion dhe kjo gjë e dëmton buxhetin e shtetit.
Pushkolli mohoi se kolonat e gjata po krijohen në kufi nga mërgimtarët për shkak të blerjes së policës në kufi.
Ai shtoi se mërgimtarët janë të informuar përmes një memorandumi që ka pasur BKS-ja me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Diasporës, ndërsa kjo e fundit ka marrë përsipër sensibilizimin e opinionit për shitjen e policës online.