Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Arkiv: Zgjedhja e presidentëve ndër vite nëpër ballinat e KOHËS Ditore

presidnet

Foto: Driton Paçarada

Që nga paslufta e tutje, zgjedhja e presidentit ka prodhuar rëndom kriza e mungesë stabiliteti institucional. Gati në krejt rastet, presidenti ka qenë figurë partiako-politike. Në disa raste edhe anti-kushtetues, e në një tjetër përbashkues.

Në këtë tekst janë tekstet e KOHËS Ditore që paraqesin zgjedhjen e presidentëve ndër vite.

Pas zgjedhjeve të para parlamentare që u mbajtën në nëntor të vitit 2001, kryetari i atëhershëm i LDK -së, Ibrahim Rugova, u zgjodh president në raundin e tretë të votimit, më 4 mars 2002.

Pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 tetor 2004, LDK-ja që pati shumicë të konsiderueshme parlamentare, ia dha partisë më të vogël në Kuvend, AAK-së, postin e kryeministrit për ta siguruar vazhdimin e detyrës së presidentit Rugova. Ai u rizgjodh më 3 dhjetor 2004. 

Por Rugova nuk arriti ta përfundojë mandatin, pasi vdiq më 21 janar të 2006-s.

Edhe Presidenti, post i unitetit që prodhoi kriza Arbëri Presidenti, post i unitetit që prodhoi kriza

20 ditë pas, më 10 shkurt 2006, Rugova u pasua nga bashkëpartiaku i tij, Fatmir Sejdiu, që u zgjodh me vota të LDK-së e të partnerëve të koalicionit. 

Në këtë detyrë, Sejdiu u rikonfirmua nga Kuvendi më 7 janar 2008, për ta ruajtur vazhdimësinë institucionale, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mandatin Sejdiu e vazhdoi deri më 27 shtator 2010, kur vendosi t’i japë fund me dorëheqje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se presidenti e shkeli aktin e ri juridik të shtetit, duke e mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të partisë.

Dorëheqja e tij çoi në krizë institucionale, që për pasojë i pati zgjedhjet e parakohshme. Më 22 shkurt 2011, duhej zgjedhur presidenti i ri. Pozitën e mori kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, me votat e partisë së tij, të LDK-së dhe të disa partive tjera më të vogla parlamentare. Funksionin ai e ushtroi veç pak më shumë se një muaj, pasi Gjykata konstatoi se qe shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së tij, pa kuorum. Pacolli i dha fund mandatit me dorëheqje më 30 mars 2011.

Për t’i shmangur ngërçin institucional dhe zgjedhjet e reja, me ndërmjetësim të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, për një javë, deputetëve u shkoi në zarf një propozim për presidentin e ri.

Atifete Jahjaga qe figurë pa profil partiak që më 7 prill i mori votat e LDK-së, PDK-së, dhe AKR-së për t’u bërë e para presidente grua. Deri atëherë, ajo qe e vetmja presidente që e çoi mandatin deri në fund, më 7 prill 2016.

Atëkohë, Qeveria e pati në tavolinë zgjedhjen e presidentit të ri. Forcë e parë politike qe PDK-ja e Hashim Thaçit, ndërsa e dyta LDK-ja e Isa Mustafës. Koalicioni i tyre, i bërë dy vjet më parë, ia siguroi Thaçit postin e presidentit e Mustafës atë të kryeministrit. Por, zgjedhja e Thaçit u bë me disa vështirësi. Mustafa nuk i kontrollonte të gjithë deputetët e partisë së tij që ta votonin rivalin politik të të dy periudhave, asaj të para dhe pas luftës. Në seancën për zgjedhjen e tij, në mes të raundeve pati pauza, takime e negociata të Thaçit e Mustafës me deputetë. Disa syresh demonstruan liri në ushtrimin e mandatit, e të tjerë nënshtrim ndaj qëndrimit të partisë.

Thaçi u zgjodh më 26 shkurt të 2016-tës, me 71 vota për, tek në raundin e tretë. Ai nuk e përfundoi mandatin, pasi 5 nëntor 2020 dha dorëheqje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara në Hagë, ku do të përballej me akuzat për krime lufte.

Edhe Kushtetuesja vë në lëvizje institucionet Arbëri Kushtetuesja vë në lëvizje institucionet

Posti i presidentit mbeti vakant një muaj e gjysmë pasi u rrëzua edhe Qeveria, për të shkuar më pas në zgjedhje të tjera të parakohshme që do të nxirrnin, përveç qeveri të re, edhe president.

Vjosa Osmani u zgjodh pas Thaçit, por paraprakisht u desh të jetë pjesë e fushatës intensive në terren me LVV-në, besimin e së cilës e kërkoi për postin. LVV-ja e fitoi shumicën parlamentare e LDK-ja ia siguroi pjesën tjetër të votave dhe ajo u zgjodh presidente më 4 prill 2021.