22:49 - Televizioni publik raportoi se kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Avni Arifi, i ka dërguar një letër kabinetit të ndërmjetëses Federica Mogherini, përmes së cilës e ka njoftuar BE-në se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa zbatim të plotë të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
Mirëpo, në një prononcim për Koha.net, Arifi thotë të mos e ketë dërguar një letër të tillë.
“Jo, nuk i kam dërguar letër Mogherinit. Ne kemi pasur komunikim të brendshëm me zyrtarë të BE-së që ka dal në media e të cilin nuk dua ta komentoj”, ka thënë Arifi për Koha.net.
Megjithatë, ai ka konfirmuar se dialogu në Bruksel nuk do të vazhdojë më 7 qershor.
“Është propozuar data 7 qershor me një agjendë që ne nuk e kemi pranuar. Unë nuk kam pranuar që të diskutoj për ndonjë temë tjetër pa diskutuar për energjinë, temë të cilën e kërkojmë që nga marsi”, theksoi ai.
Edhe
Mogherini s’e di datën e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi
Kosova refuzon vazhdimin e dialogut pa zbatimin e plotë nga Serbia të marrëveshjeve tashmë të arritura
Dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të vazhdojë këtë javë edhe pse ishte paralajmëruar se ai duhet të vazhdojë të enjten më 7 qershor.
Kështu kanë deklaruar përfaqësues të Bashkimit Evropian në Bruksel, sipas të cilëve, këtë javë nuk ka vazhdim të bisedimeve. Megjithatë, këto dy javë pritet që fillimisht të zhvillohej një rund teknik për t`u pasuar me një takim në nivel presidentësh para javës së fundit të qershorit.
Nga burime mirë të informuara në kryeqendrën evropiane, televizioni publik merr vesh se pas ftesës së marrë për të ardhur në takimin e radhës të paraparë më 7 dhe qershor në Bruksel, shefi i delegacionit kosovar Avni Arifi ka dërguar letër tek kabineti ndërmjetëses Federica Mogherinit me anë të së cilës konfirmon refuzimin e vazhdimit të dialogut pa implementimin e plotë të marrëveshjeve tashmë të arritura nga ana e Serbisë.
Në kabinetin e ndërmjetëses së dialogut nuk komentohet përmbajtja e letrës së dërguar nga kryeqendra kosovare, ndonëse konfirmohet se kanë pranuar një letër të nënshkruar nga kryenegociatori Avni Arifi.
Sido që të jetë, zyrtarët e BE-së pranojnë se këtë javë nuk do ketë dialog.
Edhe
Arifi tregon pse është ftuar në Bruksel të hënën delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me kryenegociatorët nga të dyja palët, ndërsa diskutimet në Bruksel do mbahen sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar shkurt, zëdhënësi i BE-së, Carlos Martin Ruiz de Gordejuela.
Ndryshe, pritej që këto dy javë të jenë në shenjë të dialogut ku fillimisht do zhvillohej një raund teknik për t’u pasuar me një takim në nivel presidentësh para javës së fundit të qershorit.
Javën e kaluar, përfaqësuesit e kabinetit Mogherini kanë raportuar tek shtete anëtare për mbarëvajtjen e dialogut, ndërsa merret vesh nga burimet brenda takimit se vendet e Bashkimit Evropian kanë nisë të dyshojnë në mënyrën se si po menaxhohet ky proces.
“Dialogu tani do duhej të hyn në fazën kritike, ndërsa shtete anëtare nuk janë të involvuara. Gjithçka po mbahet sekret nga ana e ndërmjetëses Federica Mogherini, andaj edhe kemi rezervat tona për shkak të mos transparencës”, u shpreh një burim nga BE-ja.
Ky bashkëbisedues ka bërë të ditur se raportimet nga kabineti Mogehrini zakonisht janë sipërfaqësore dhe tejet pozitive me konfirmimin e vazhdueshëm se të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese e cila do çojë deri tek normalizimi gjithpërshirës i raporteve në mes të Kosovë dhe Serbisë.
Mirëpo, disa shtete anëtare dyshojnë në kualitetin e kësaj marrëveshjeje gjithnjë duke pas parasysh se po ndiqet kalendari e jo substance, duke pas parasysh se marrëveshja historike Kosovë-Serbi do mbetet trashëgimia politike e Mogherinit, mandati i të së cilës përfundon në pranverën e vitit që vjen – e që koincidon pikërisht me paralajmërimet se kur do duhej të arrihet marrëveshja në mes të dy presidentëve.
Edhe
Dialogu drejt bllokadës
Andaj, siç merret vesh, po punohet drejt formulimit të kërkesës zyrtare të Bashkimit Evropian, që shtete anëtare të përfshihen në fazën përfundimtare të dialogut.
Një nga format që po shqyrtohen janë konkluzat e takimit të qershorit kur shefet e shteteve dhe qeverive të BE-së do diskutojnë Ballkanin Perëndimor, andaj edhe nuk përjashtohet mundësia që në konkluzat përfundimtare të nënvizohet domosdoshmëria e përfshirjes edhe të shteteve anëtare në përgatitjen e marrëveshjes në mes të Kosovës e Serbisë. Nëse miratohen konkluzat në këtë mënyrë atëherë ato janë obliguese edhe për kabinetin e ndërmjetëses Mogherini.