Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova përmes një njoftimi për media ka njoftuar se sot ka takuar anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKK) dhe është informuar për përpjekjet e tyre për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Zotimin e tyre, Apostolvoa e sheh si mbresëlënës.
“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave. Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit”, ka thënë Apostolova.
“BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor”, thuhet në deklaratën e Apostolovës.
Tutje, shefja e zyrës së BE-së u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike “që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike”.
-
BE: Largimi nga ENQA për faj të politikës
-
Kosnett: Politika s’ka vend në arsim
-
EQAR-i, i shqetësuar me veprimet e qeverisë së kaluar, kërkon kujdes
-
Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit nga ENQA me pasoja të mëdha
-
Kosova s’arriti të përmbushte gjysmën e standardeve që kërkoheshin për vazhdim në ENQA