Arbëri

Apeli kthen në rigjykim rastin e ish-inspektorëve në Komunën e Prishtinës

Një nga rastet e vetme të korrupsionit të cilin e pati fituar Prokuroria e Shtetit, të ënjtën është kthyer në rigjykim. Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish- inspektorëve të Komunës së Prishtinës.

Atyre iu ishte shqiptuar muaj më parë nga Gjykata Themelore dënimi me burg e gjobë. Në vendimin e siguruar nga “Koha Ditore” thuhet se ka pasur shkelje esenciale në aktgjykimin e shkallës se parë. Një nga elementet që ka specifikuar Apeli është se Gjykata Themelore në mënyrë të padrejtë në aktgjykim thekson se këta zyrtarë janë dënuar për veprën penale “Krim i organizuar” ndërsa brenda aktgjykimit vetë e theksojnë se nuk kanë parë prova për të argumentuar dyshimin e bazuar për këtë vepër.

“Gjykata e Apelit konstaton se aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 1. pika 1.12 te KPPRK-ës lidhur me nenin 370 te këtij kodi, ngase dispozitivi i tij është i paqartë nga arsye se është ne kundërshtim me arsyetimin e tij ku në dispozitivin e parë të aktgjykimit prokuroria i ka akuzuar : Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283 par.2 te KPRK-se dhe në dispozitiv të aktgjykimit të gjithë të akuzuarit e lartcekur janë shpallur fajtorë gjersa në arsyetimin e aktgjykimit në faqen 107 gjykata e shkallës së parë thotë se për ketë vepër penale nga provat e administruara nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë vepruar si grup i organizuar duke e arsyetuar faktin se pse nuk janë përmbushur elementet e kësaj vepre penale”, thuhet në arsyetimin e kësaj gjykate.

Sipas kësaj Apeli ka konstatuar se edhe pse ne arsyetim ekziston se te akuzuarit e lartcekur nuk janë shpallur fajtor ne dispozitiv janë shpallur fajtore pra ekziston kontradikta mes dispozitivit dhe arsyetimit te aktgjykimit te ankimuar.

Të tjera shkelje që Apeli ka evidentuar në këtë rast është edhe mungesa e dëshmisë se një dëshmitari si dhe mungesa e dëshmisë në gjykatë e palës se dëmtuar që në këtë rast është Komuna e Prishtinës e që sipas Gjykatës se Apelit këto elemente përbejnë shkelje elementare të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Sipas aktakuzës, po ashtu se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.