Arbëri

Ankesa në Lipjan, zëvendësimet e mësimdhënëseve lehona zgjasin deri në tre muaj

Shpeshherë në Komunën e Lipjanit mësimdhënëset që marrin pushime të lehonive, por edhe mësimdhënësit e tjerë që marrim pushime mjekësore për shkak të sëmundjeve të ndryshme, nuk zëvendësohen në kohë. Kjo, si pasojë e procedurave të gjata që janë të përcaktuara me udhëzimet administrative dhe ligjet në fuqi.

Në raste të tilla shpeshherë fëmijët mbesin pa mësimdhënës në lëndë të caktuara.

Rreth kësaj çështjeje kanë reaguar këshilltarët e Kuvendit Komunal por edhe ekzekutivi me arsyetim se ligjet në fuqi duhet të ndryshohen nga niveli qendror.

Lumturije Bytyqi-Hasani, kuvendare nga radhët e PDK-së, ka thënë se ekzekutivi i Komunës duhet ta ngrit këtë çështje në nivelin qendror me arsyetim se zëvendësimet e mësimdhënësve duhet të bëhen me urgjencë.

“Humbja e orëve mësimore për shkak të mungesës së mësimdhënësve tashmë është bërë e përditshme në shkollat e Komunës së Lipjanit. Komuna duhet të angazhohej më shumë në menaxhimin e procesit të rekrutimit për zëvendësimin e mësimdhënësve që shkojnë në pushime, kryesisht në pushim të lehonisë. Këtë çështje e kam ngrit edhe në mbledhjen e fundit të kuvendit të komunës, për të kërkuar që Drejtoria e Arsimit të marrë hapa në parandalimin e humbjes së orëve mësimore për shkak të mungesës së mësimdhënësve”, ka thënë Hasani.

Sipas saj, ka raste kur me javë të tëra nxënësit nuk mbajnë orë të caktuara derisa komuna nuk arrin me kohë ta zëvendësojë stafin e mësimdhënësve.

“Kjo çështje po i kushton më së shumti nxënësve të cilët edhe ashtu kanë pasur ngecje në procesin mësimor, gjatë këtyre dy viteve, për shkak të pandemisë”, ka shtuar Hasani.

Në anën tjetër Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti në mbledhjen e fundit të Kuvendit para kuvendarëve ka thënë se te proceset arsimore, rreth dy muaj e gjysmë marrin procedurat për ta zëvendësuar një punëtor të arsimit.

“Kjo punë është e tmerrshme dhe është vështirë ta kuptojnë qytetarët dhe nxënësit tanë. Konkursi publikohet së pari në ministri, pastaj publikohet tek ne automatikisht në Komunë dhe plus 30 ditë të tjera zgjasin procedurat, pastaj edhe 15 ditë të tjera për shqyrtim. Kjo punë është jashtëzakonisht keq e ligjëruar apo e futur në udhëzime administrative”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka sqaruar se edhe Asociacioni i Komunave, disa herë ka kërkuar që të shfuqizohet ky lloj udhëzimi për sistemin arsimor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani.

“Një gjë e tillë ndoshta ka kuptim për shërbimin civil, por nuk ka fare kuptim në arsim të zgjasin këto procedura sepse zëvendësimet apo sëmundjet janë të shpeshta në numër të punëtorëve arsimor qoftë edhe në nivel të vendit, andaj për ta zëvendësuar një punëtor në një normë të caktuar i merr së paku 3 muaj, prandaj krejt çka mund të bëjmë në përpjekjet tona janë ose me vullnetar ose me staf që janë duke punuar në ato shkolla për të plotësuar normat derisa të vjen personeli i ri”, ka sqaruar Ahmeti.

Sipas tij, rasti i fundit ka ndodhur në shkollën e fshatit Shalë.

“Unë e di se pasi është shpallur një konkurs i punëtorëve arsimor ka ndodhur rasti në Shalë dhe e di se i është dhënë vendimi një mësimdhënësi të Gadimes që nuk e kishte normën e plotë për të shkuar në Shalë, por ai nuk ka shkuar dhe ne jemi në procedurë”, ka thënë Ahmeti.