Arbëri

Anëtarët e OSHP-së ankohen për mungesë të Bordit

OSHP

626 lëndë gjatë vitit 2021 dhe 192 gjatë 2022-ës, nuk kanë arritur të trajtohen nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), shkaku i mungesës së Bordit, raporton Ekonomia Online.

Këtë e bëri të ditur kryetarja e OShP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor për vitin 2021, Gradinaj-Mexhuani tha se krahas numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura, kanë mungesë të stafit dhe objektit.

“Nga 1 prilli i vitit 2021 e deri në qershor të këtij viti, Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka pasur Bord dhe si rrjedhojë Bordi është përballur me një numër të konsiderueshëm të ankesave të lëndëve të grumbulluara e i cili vazhdon edhe tash. Numri i lëndëve të pazgjidhura për këtë aktivitet të prokurimit kishte arritur shifrën e 626 lëndëve për vitin 2021 dhe 192 lëndë për vitin 2022 për mungesë vendimmarrje”, tha ajo.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, kërkoi të di nëse ka pasur kontrata të nënshkruara edhe nëse janë ankuar kontraktuesit.

Këtë e pohoi Gradinaj-Mexhuani.

“Realisht kemi kontrata që janë nënshkruar, ndonëse kanë pasur ankesa”, tha kryetarja e Bordit të OShP-së.

E kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja, shpalosi gjetjet e këtij Bordi, duke thënë se raporti për vitin 2021 është marrë copy-paste nga viti 2020.

“Ky raport është një nga raportet më të varfra që kemi pasur, të gjitha janë copy-paste nga viti 2020, dhe aty këtu ku ka pasur mundësi e keni plotësuar ndonjë të dhënë. Tjetra tek raporti i Auditorit keni gjetje të ripërsëritura nga viti 2020, siç janë faturat e papaguara”, tha Muja, teksa kryetarja e Bordit u mundua të arsyetohet duke thënë se me siguri ka ndodhur ndonjë gabim./EO