Arbëri

Analistët panë improvizim të afërsisë mes Kurtit e Ramës

Dallimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë arritur të zbehen, as pas mbledhjes së dy qeverive, që u mbajt një ditë më parë, kanë vlerësuar njohës të marrëdhënieve mes dy shteteve. Sipas tyre, e gjithë paraqitja e kryeministrave si të afërt me njëri-tjetrin ishte tentim për të fshehur tensionet që kanë mes tyre, sidomos në fushën e politikës së jashtme, e raporteve rajonale

Atmosfera relaksuese, që pasqyrohej nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë më parë gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive, nuk pasqyron raportin real mes tyre kanë vlerësuar analistët të martën. Gjatë mbledhjes së tetë, së dy qeverive, janë shfaqur të buzëqeshur e të afërt krah njëri-tjetrit.

Por, sipas Belgzim Kamberit, drejtor i bordit në institutin “Musine Kokalari”, kryeministrat nuk arritën që t’i fshehin mjaftueshëm dallimet që kanë, sidomos në rrafshin e punëve të jashtme e iniciativave rajonale.

“Marrëveshjet e djeshme i kanë relativizuar pak tensionet, që ishin më të theksuara javën e kaluar dhe kjo e jep një perceptim se, megjithatë marrëdhëniet nuk janë aq të degraduara siç paraqiten në opinionin publik. Por, ajo që është e qartë është se – edhe dje u pa – është se megjithatë ekziston një tension midis dy qeverive dhe dy kryeministrave. Në përgjithësi, në këtë drejtim paradoksalisht kjo do të duhej të shihej se sa ndikon në interesin e ndërsjellë”, ka thënë Kamberi.

Ai ka thënë se marrëdhëniet mes dy qeverive, ndikojnë edhe në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Sipas tij, mekanizmi i ngritur për zbatimin e marrëveshjeve, nuk është i mjaftueshëm.

“Varet prej vullnetit të qeverive për t’i zbatuar pastaj, sepse natyrisht që nuk mjafton vetëm mekanizmi nëse vetë qeveritë nuk janë mjaftueshëm dinamike për t’i zbatuar këto marrëveshje. Nga ana tjetër, është edhe ky elementi se pa harmonizimin ose së paku pa përafrimin e qëndrimeve të dy qeverive në kuadër të dimensionit rajonal, bashkëpunimit rajonal, atëherë natyrisht që edhe këto marrëdhënie do të varen edhe nga zbatimi i tyre në këto procese”, ka thënë Kamberi.

Ai ka thënë se i takon secilës prej shteteve që të vendosë raportet me shtetet e tjera, tek ka folur për bashkëpunimin që Shqipëria, përkatësisht kryeministri Edi Rama, ka krijuar së fundmi me Serbinë, përkatësisht me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ndërkaq, për publicistin Fatos Lubonja, e gjithë atmosfera ishte skenar i përgatitur nga Edi Rama.

“E gjitha ishte spektakël. Një spektakël i përgatitur nga Edi Rama për t’u rishfaqur në Kosovë me një gjuhë patriotike, përbashkuese patriotike, pas akuzave që ka pasur jo vetëm në Kosovë, jo vetëm nga Qeveria e Kurtit, por edhe në Shqipëri sa i përket ‘Ballkanit të Hapur’. Të gjitha këto kanë ndikuar që ta përgatisë këtë spektakël Rama, ku u shfaq përsëri si një njeri i bashkimit kombëtar, i projekteve të mëdha”, ka thënë Lubonja.

E përderisa Kamberi ka theksuar se duhet të pritet derisa të shihet ndikimi që marrëveshjet e nënshkruara kanë në jetën e qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Lubonja ka thënë të mos ketë parë diçka përmbajtësore në to.

Lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin shqiptar e atë mes dy shteteve, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjigjur të martën, kur është pyetur nga gazetarët.

Të hënën, në mbledhjen e tetë të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, janë nënshkruar 19 marrëveshje në fushën e arsimit, bujqësisë, drejtësisë e infrastrukturës. Në mesin e tyre, është edhe ajo që parasheh që gjatë muajve të verës, vikendeve dhe festave zyrtare të hiqen kontrollet kufitare, të bëhet studimi për realizimin e sistemit të përbashkët doganor, lajmërimi në kohë reale për ndryshimet në gjendjen civile, projekti për portin e ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë, dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, nga të dy kryeministrat është vlerësuar lart bashkëpunimi mes dy shteteve dhe është folur me superlativ edhe për zbatimin efikas të atyre që janë arritur deri më tani, në kuadër të mbledhjeve të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.