Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Amputimi shërues i Kosovës

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Në një shkrim në të përditshmen e Beogradit “Danas”, kolumnisti i saj Nenad M. Kostiq ka shkruar për historikun e humbjes që Serbia e pati me humbjen e Kosovës. Ai ka treguar edhe për largimin e Malit të Zi nga Serbia ndërsa ka ftuar autoritetet e Beogradit që ta pranojë realitetin me dhe në Kosovë, transmeton Koha.net.

Shkrimin po e publikojmë të plotë:

Kirurgu: “Gangrena po avancon. Do ta amputoj nën gju”. I plagosurti: “Nuk dua të jem i gjymtë!” Kalon një kohë. Kirurgu: “Jam i detyruar ta amputoj mbi gju”. I plagosuri: “Ta pyes familjen, pastaj ta shoh”. Epilogu - amputimi deri kërdhokulla.

Ai që ka mbajtur të hapur së paku njërin vesh në orët e historisë, do ta ketë mësuar rregullin e pandryshueshëm: Humbësi ia lëshon territorin fituesit. Hartat ndryshojnë më shpejt se moda e damave. Shteti humbës përshtatet. Shoqëritë e udhëhequr mirë rregullohen brenda kufijve të rrudhur, dhe përparojnë.

Kosova është e humbur me kapitullimin në Kumanovë më 1999. Shumë sish thonë se pajtimi me realitetin e pashmangshëm do ta plagoste përgjithmonë Serbinë. Ata kujtojnë se si pashallëku i Beogradit ishte rritur shumëfish në Serbi nga 1804 deri më 1918. Një pjesë e kësaj rritjeje krenare është arritur me diplomaci, në Kongresin e Berlinit. Me fitoret në tri luftëra nga viti 1912 deri më 1918, Serbia mori Sanxhakun, Kosovën dhe Vojvodinën. Përveç krijimit të Jugosllavisë, kështu u evitua lavjerrësi serb. Por lavjerrësi nuk qetësohet por kthehet në baraspeshë.

Kalojnë njëqind vjet. E mundur dhe e demoralizuar në luftërat në mes viteve 1991 e 1999, Serbia humbi forcën njerëzore, ekonomike dhe ushtarake të nevojshme për të ruajtur gjithë territorin. Në afat të shkurtës, ekzistojnë vetëm zgjidhje të këqija e më të këqija. Interesat e kreut të popullit serb dhe të diasporës se vuajtur në Kosovë nuk përputhen. Kisha ka hallin e pronës së mrekullueshme. Megjithatë, ai lavjerrësi pamëshirshëm rëndon teposhtë.

Edhe Kolumne 3 d. më parë Dy ministra të Serbisë dhe analogjia që Evropa shmang

Pas shkurorëzimit me Malin e Zi, Serbia humbi edhe daljen në det, dhe u përshtat. Tash humb 12 për qind të territorit, pjesën më të varfër të populluar kryesisht me armiq. Në Luftën e Parë Botërore, Austria kishte humbur 60 për qind të territorit, kurse Hungaria 75 për qind të territorit dhe 65 për qind të popullsisë, në pjesën më të madhe në favor të Serbisë dhe Jugosllavisë. Që atëherë humbëset e dikurshme tashmë i kanë mbërri tejkaluar fitueset.

Mbyllja e syve para realitetit, mëdyshja para të domosdoshmen - nuk janë patriotizëm, por marri ose qyqari. Patriotizmi tregohet në luftë, por më shumë në paqe. Arsimimi, sundimi i ligjit dhe liritë e bëjnë shoqërinë në kufijtë e rrudhur më të suksesshme, më të pasur dhe më të lumtur. Serbia dhe Kosova kanë nga 8 për qind popullsisë në anën tjetër. Në një të ardhme më të mençur, këto pakica do të mundë të bëheshin hallka pajtimi.