Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angelika Viets, ka thënë se debati për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është polarizuar së tepërmi.
Ajo, në intervistën dhënë RTKlive, ka deklaruar se definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së është vendim sovran i Republikës së Kosovës. Sipas saj, çdo ndryshim për transformimin FSK-së në ushtri, do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët. Kurse sa i përket zgjedhjeve të reja, Viets ka thënë se koalicioni qeverisës e ka një shumicë stabile dhe me një konsensus të gjerë mund apo do të mund të kryente detyrat e mëdha, të cilat Kosova duhet t’i kryej.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAjo ka deklaruar se Gjermania është zotuar për ta mbështetur Kosovën me rreth 46 milionë euro për vitet 2016 dhe 2017 në zhvillimin e gjithanshëm të vendit.
E pyetur si i vlerësoni zhvillimet politike në Kosovë në këtë fillim vit?, Viets u përgjigj: Në të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor prej ca kohësh kemi vërejtur zhvillime krizash, të cilat e rrezikojnë stabilitetin dhe transformimin e rajonit. Potenciali për konflikt brenda dhe pjesërisht edhe në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor edhe më tej është i madh dhe i pengon proceset reformuese dhe afrimin me BE-në. Pasiguria, si shkak i zhvillimeve në nivel global, vetëm sa kontribuon më shumë në këtë. Për tejkalimin e këtyre krizave tani kërkohet angazhim më i shtuar nga të gjithë, në mënyrë që bashkëpunimi rajonal, reformat dhe afrimi me BE-në të mos kthehen vite prapa. Në këto rrethana nuk guxon të ketë regres në sundimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit. I rëndësishëm është bashkëpunimi më i theksuar rajonal dhe kjo është arsyeja pse ne mbështetemi në Procesin e Berlinit dhe takimin e radhës që do të mbahet në korrik të këtij viti në Trieste. Sa i përket Kosovës, fakt është që raportet e saj me Serbinë janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Pavarësisht provokimeve, në kuadër të dialogut për normalizim tani prioritet është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Qytetarëve u duhen shpjeguar përfitimet, të cilat dalin për Kosovën nga procesi i normalizimit.
Sipas ambasadores Viets debati për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit është polarizuar së tepërmi. Shumë vëzhgues pajtohen se arsyeja nuk qëndron aq shumë tek përmbajtja e marrëveshjes, por që në sfond të kësaj ka shoshitje që ndërlidhen me pushtetin politik. Marrëveshja për demarkimin e kufirit, e arritur pas plot tre vjet pune është shqyrtuar disa herë. Kjo ndër tjerash është bërë edhe nga grupi e ekspertëve ndërkombëtarë, të angazhuar nga Presidentja e mëparshme Jahjaga, në mesin e të cilëve ka marrë pjesë edhe një ekspert gjerman me renome, Dr. Wilmes. Një shqyrtim tjetër ka pasuar rishtazi nga një komision i ngritur nga qeveria, në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe Përfaqësuesja Speciale BE-së për Kosovën, e po ashtu edhe Ambasadori i SHBA-së. Përfundimi i qartë i të gjitha shqyrtimeve ka qenë që Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit, e cila tashmë është ratifikuar nga ana e Malit të Zi, ka qenë korrekte. Veç kësaj Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit është një marrëveshje ndërkombëtare që e forcon statusin e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Do të dëshironim shumë për qytetarët e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejtë dhe që me këtë të eliminohej pengesa kryesore në rrugën drejt liberalizimit të vizave.
Sa i përket definimit të mandatit dhe strukturës së FSK-së, ambasadorja Viets u shpreh se është vendim sovran i Kosovës. Megjithatë çdo ndryshim do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nëpërmjet një procesi transparent politik, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha palët. Vendimmarrësit duhet të marrin në konsideratë deklaratën e NATO-s, sipas të cilës NATO-s do t’i duhej ta rishikonte nivelin e angazhimit, në veçanti për sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të FSK-së, në qoftë se miratohet draftligji i propozuar. Ne jemi të brengosur që ky propozim e pengon bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe e ngadalëson procesin e normalizimit.
Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në këtë vit, Viets tha se për to unë konkretisht jam shprehur pothuajse çdo muaj, që nga formimi i qeverisë në vitin 2014. Për këtë arsye, mendoj se e dini vlerësimin tim, që kjo çështje nuk do të duhej të bëhej qëllim në vetvete. Koalicioni qeverisës e ka një shumicë stabile dhe me një konsens të gjerë mund, apo do të mund të kryente detyrat e mëdha, të cilat Kosova duhet t’i kryej. Para se të mbahen zgjedhjet e ardhshme, Kosova do të duhej të dëshmojë suksese të arritura. Rreziku i madh që paraqitet në rast të zgjedhjeve të parakohshme do të ishte një vendnumëro për Kosovën për një periudhë deri një-vjeçare. Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes këtë gjë. Gjithsesi unë i dëshiroj Kosovës që votuesit, kur të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, të mendojnë rreth asaj se kush dhe si i ka përfaqësuar ata.