Ambasadori ukrainas në Shqipëri, Vlodymyr Shkurov, ka deklaruar se njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Ukraina është thjesht “çështje kohe”.
Në një intervistë për televizionin “News24”, Shkurov ka thënë se Kievi është i njohur me ndihmën që ka dhënë Kosova për vendin e tyre dhe njohja e Kosovës është në agjendë.
Megjithatë, ambasadori u shpreh se fokusi kryesor i Ukrainës mbetet “dalja nga zjarri i luftës” me Rusinë, ndërsa shtoi se njohja e Kosovës ka karakter politik dhe se duhet të jenë të llogaritura edhe disa elemente “të cilat ndoshta nuk duken në vija të përgjithshme”.
Diplomati ukrainas ka theksuar se “nuk ka gjë të pamundur” dhe se sipas tij aktualisht njohja e Kosovës është “çështje kohe”.
“Ne e dimë për ndihmën e Kosovës dhe e vlerësojmë atë. Sigurisht që kjo çështje është në agjendë, siç e ka përmendur Ukraina, sot po mendojmë si të dalim nga zjarri i luftës dhe çështja e Kosovës ka më shumë karakter politik ku duhet të jenë të llogaritura edhe disa elemente të cilat ndoshta nuk duken në vija të përgjithshme. Nuk ka asgjë të pamundur, aktualisht është çështje kohe”, u shpreh ai.
Së fundmi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova mirëkupton gjendjen e jashtëzakonshme me të cilën përballet populli ukrainas, teksa ka deklaruar se njohja do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës.