Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasada e Kosovës në Slloveni shënoi dhjetëvjetorin e pavarësisë

Me një koncert klasik muzikor ku performoi sopranoja kosovare Flaka Goranci dhe me hapjen e një ekspozite të fotografive të autorëve nga Kosova të përzgjedhura ndër vite si më të suksesshmet, e përgatitur nën përkujdesjen e piktorit Gani Llalloshi, Ambasada e Kosovës në Slloveni ka shënuar mbrëmë dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në pritjen e organizuar morën pjesë qindra mysafirë të ftuar, zyrtarë të lartë të shtetit slloven ndër të cilët sekretari i shtetit në MPJ, z.Andrej Logar, europarlamentari dhe ish-kryeministri slloven Lojze Petrle, deputetë të Kuvendit të Sllovenisë nga grupi i miqësisë me Kosovën, ambasadorë dhe anëtarë të akredituar të korit diplomatik në Slloveni dhe shumë kosovarë që jetojnë e punojnë në këtë vend. I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ministri i shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili me bashkëpunëtorë i cili po qëndron këtu në një vizitë bilaterale.

Ambasadori Nexhmi Rexhepi tha se ky dhjetëvjetor është rast i mirë për të bërë një vlerësim substancial të të arriturave të Kosovës. Ai u përkujtoi të pranishmëve se shteti i Kosovës është i ndërtuar mbi sakrificat e shumta shekullore për liri dhe pavarësi të popullit tone.

“Por ne sonte duam të flasim më shumë për të sotmen”, tha ambasadori Rexhepi dhe u përkujtoi të pranishmëve se “ne tash po ndërtojmë një Kosovë të re mbi këto sakrifica edhe njerëzore por edhe materiale. Një shtet i cili është shtëpi e të gjithë qytetarëve, i përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet ndaj vetvehtes, rajonit dhe më gjërë”.

Ai tha se ne e kemi bërë të qartë që jemi të gatshëm të falim, mirëpo jo të harrojmë. Fëmijët tanë duhet ta dijnë se me çfarë kemi kaluar ne. Është e domosdoshme të dihet për kohën tonë dhe për të ardhmen – kush ishte viktima dhe kush agresori. Populli i Kosovës do të mbetet gjithmonë falenderues ndaj të gjitha shteteve të cilat kanë bërë përpjekje bashkarisht ta ndalin këtë pastrim etnik dhe shkatërrim total të vendit tonë.

Kosova beson se prezantimi i fundit i Strategjisë së BE-së për zgjërim do të reflekton mundësi të barabarta duke qartësuar përspektivën e BE-së për ne, e po ashtu edhe për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në rastin tonë ne nuk e kemi parë ende qartësinë e cila pritet të shihet, dhe shpresojmë që gjuha e strategjisë të qartësohet edhe më shumë.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Slloveni, ambasadori Rexhepi përkujtoi se këto dy vende ndajnë histori të përbashkët të së kaluarës dhe çka është më e rëndësishme kanë qëllime të njejta për të ardhmën. Mbi të gjitha këto dy vende i lidhë edhe një numër i madh i diasporës kosovare e cila jeton dhe vepron në Slloveni. Kosova i është përgjithmonë mirënjohëse Sllovenisë dhe popullit slloven për mbështetjen e vazhdueshme përgjatë të gjitha proceseve në të cilat ka kaluar Kosova, tha ambasadori Rexhepi.

Manifestimin e mbrëmshëm e përshëndeti me një fjalë rasti edhe Andrej Logar, Sekretar i Shtetit në MPJ të Sllovenisë i cili duke uruar për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës tha se vendi i tij do vazhdoj të kultivoj marrëdhëniet e shkëlqyera të miqësisë ndërmjet dy vendeve të cilat datojnë që heret. Ai tha se Kosova dhe Sllovenia kanë interesa të njëjta për paqe, fqinjësi të mirë dhe zhvillim në rajon dhe siguroi se vendi i tij do jetë gjithmonë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe në BE. Ai po ashtu nënvizoi se Kosova duhet të vazhdoi punën në zbatimin e reformave të brendshme, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të detyrimeve ndërkombëtare.

Artikuj të ngjashëm