Arbëri

Aliu paralajmëron prodhimin e katër llojeve të dronëve në Kosovë

Ridvan Aliu

Ridvan Aliu, i njohur si prodhuesi i dronëve kosovarë, ka bërë të ditur se në Kosovë ka nisur prodhimi i katër llojeve të ndryshme të dronëve, me kapacitete dhe përdorime të ndryshme, përfshirë edhe sektorin e mbrojtjes.

Aliu ka sqaruar se prodhimi ka filluar nga dronët më të vegjël FPV, ndërsa aktualisht po zhvillohen edhe dronë më të mëdhenj, përfshirë një model me pesë metra krahë dhe një tjetër në ndërtim me 14 metra krahë. Sipas tij, modeli me pesë metra, i quajtur “Vitol”, ka kapacitet të fluturimit deri në 20 kilometra, ndërsa pritet të testohet për fluturim deri në 1 mijë kilometra, testim që do të kryhet në det të enjten, pasi nuk mund të realizohet në Kosovë. Ky dron mund të bartë deri në 50 kilogramë ngarkesë.

Ai ka theksuar se vizioni i tij është që Kosova të identifikohet me një dron të vetëm, ashtu siç identifikohet Turqia me Bayraktarin. Në këtë kuadër, Aliu ka përmendur dronin “Skifter”, i cili është i përqendruar në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillohet në bashkëpunim me Akademinë, me synim aftësimin e studentëve dhe krijimin e një droni specifik për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes, me potencial edhe për eksport.

“E kemi vizion që të identifikohemi me një dron, siç identifikohet Turqia me Bayraktar. Bëhet fjalë për dronin Skifter. Është dron i veçantë, ku pas zhvillimit të këtij droni për mbrojtjen e vendit tonë, me pas mundësi me eksportu jashtë. Droni Skifter është kompani më vete, ka lind prej Akademisë dhe bashkëpunon me ta. Është i përqendrum për industrinë e mbrojtjes. Është në bashkëpunim me Akademinë për t’i aftësuar studentët për dron specifik për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë ai në episodin e parë të emisionit “Fiks n’Kohë” të martën.

Aliu ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa me formimin e Qeverisë së re pritet që të ndërmerren hapa konkretë në këtë drejtim.

Ndërkohë, një tjetër dron i zhvilluar, i quajtur K1, ka rreze veprimi deri në 1 mijë kilometra dhe është projektuar për misione mbrojtëse, pa mundësi kthimi.

Aliu ka bërë të ditur se një laborator ka kapacitet për ndërtimin nga 16 deri në 20 dronë FVP në ditë. Ai ka theksuar se kanë vendosur laborator pothuajse në çdo qytet të Kosovës.

Sipas Aliut, industria e dronëve po zhvillohet me ritme shumë të shpejta, ndërsa një laborator për dronët e vegjël FPV ka kapacitet të prodhojë nga 16 deri në 20 dronë në ditë.

Emisioni i plotë: