Arbëri

Alija: Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, gjykimet e krimeve të luftës do të bëhen të vështira

Amer Alija nga Fondi për të drejtën humanitare, ka vlerësuar se për gjykimet e krimeve të luftës është duke u punuar me ritëm të ngadaltë. Sipas tij, nëse vazhdohet kështu, gjykimet e luftës në Kosovë do të bëhen më të vështira.

I ftuar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Alija ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë situatën e krijuar me dialogun me Serbinë, ku në planin evropian është përmendur thellimi në bashkëpunimin gjyqësor.

“Ajo çka duhet të bëjë Kosova është ta shfrytëzojë momentin e dialogut ku në marrëveshjen franko-gjermane është përmendur thellimi në bashkëpunimin gjyqësor. Kosova duhet insistojë, të kërkojë bashkëpunim, një nënshkrim të protokolleve mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Serbisë, ashtu e kanë bërë Bosnja e Kroacia me Serbinë dhe ky bashkëpunim të mbikëqyret rreptë nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas Alijës, Prokuroria Speciale e Kosovës që kur ka pranuar kompetencat nga EULEX-i për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës më 2018, ka akuzuar vetëm pak më shumë se 10 persona.

Ai ka thënë se një prej arsyeve që mund të ketë ndikuar në këtë shifër të vogël është numri i prokurorëve të cilët merren me rastet e krimeve të luftës.

Ai ka thënë se janë vetëm katër prokurorë që merren me këto raste, teksa ka njoftuar se Qeveria ka ndarë buxhet për shtim të kapaciteteve më 2021, por se Këshilli Prokurorial ende nuk i ka përzgjedhur ata.

“Që nga qershori i viti 2014 EULEX-i gradualisht ka filluar të transferojë kompetencat për rastet e krimeve të luftës te Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe përfundimisht në qershor të vitit 2018 i ka transferuar të gjitha rastet në të cilat ka qenë duke punuar. Dhe prej qershorit të vitit 2018 deri sot ne nuk kemi shumë persona të akuzuar, janë pak më shumë se 10 persona që janë akuzuar nga Prokuroria Speciale, edhe pse në maj të vitit 2015 në kuadër të kësaj prokurorie është krijuar një departament për krime të luftës, ku gjithsej janë katër prokurorë që merren edhe me disa raste që janë në kuadër të Prokurorisë Speciale. Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet edhe për shtimin e katër prokurorëve shtesë në kuadër të këtij departamenti, por Këshilli Prokurorial ende nuk i ka përzgjedhur ata. Arsyeja nuk është publike vetëm se dihet që janë ndarë mjetet për këtë përforcim. Mund të jetë arsye që në kuadër të Prokurorisë Speciale nuk ka numër të madh të prokurorëve specialë”, ka thënë ai.