Arbëri

AKP-ja i largon nga puna 23 punëtorë të Minierës së Goleshit

23 punëtorë të Minierës së Goleshit janë larguar nga puna me vendim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Largimi nga puna në kohë pandemie, që solli shtrenjtim çmimesh dhe e vështirësoi punësimin, thanë se do të jetë i papërballueshëm. Ata kërkojnë nga AKP-ja ta shqyrtojë këtë vendim, meqë thonë se jetesa e tyre është siguruar nga paga që kanë marrë nga Goleshi.

8 muaj pa e arritur pensionimin, Qamil Maqajt, punëtor i Minierës së Goleshit, iu shkëput kontrata.

Puna mbi 40-vjeçare në Minierë i mori fund të martën, me një vendim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Prej 77’-s jam në punë këtu, babë e babëgjysh, vëllai më është mbytur këtu. Edhe 8 muaj do të dal në pension, na kanë larguar pa arsye pa kurrgjë. Ditë e natë kemi punuar këtu me jetët tona”, ka thënë Qamil Maqaj, punëtor i kësaj miniere.

Përveç Maqajt, AKP-ja largoi nga puna edhe 22 punëtorë të tjerë.

Nëpërmjet letrave për largim nga puna, që punëtorët thonë se i morën me 6 ditë vonesë, AKP-ja kishte vlerësuar se shërbimi i tyre më nuk është i nevojshëm për MIM Goleshin.

Por, punëtorët e konsiderojnë të paarsyeshëm këtë vendim, i cili thonë se i la pa të ardhura në kohë pandemie.

“Ne jemi njoftuar shumë datë e shkurtër, jemi njoftuar me na largu prej pune me arsye se nuk kemi punë. Ne këtu kemi punuar, kemi fëmijë të vegjël kur të shkojmë në shtëpi qysh me ju tregu fëmijëve që prej janarit nuk jemi në punë. Për atë arsye i lus ata që t’i kthejnë vendimet që ne ta vazhdojmë punën”, ka deklaruar punëtori tjetër, Urim Shala.

Për ta është e rëndësishme edhe ndërhyrja e Qeverisë, meqë thonë se nuk kanë zgjidhje të tjera për jetesë.

“Ne nga organizata ‘MIM Golesh’, ju kishim lutur që vendimin e AKP-së që keni premtuar se do ta shuani na është kthyer në boomerang dhe sot kemi mbetur në rrugë. Ju kisha lutur juve si kryeministër që ky vendim të rikthehet në shqyrtim dhe punëtorët tanë të shkojnë lirisht në shtëpitë e tyre dhe ta festojnë vitin e ri me fëmijët e tyre, dhe jo me vendim për largim nga puna”, ka thënë menaxheri i furrave rrotulluese, Sejdi Hasi.

Që nga paslufta, Miniera e Goleshit është jashtë funksionit.

Punëtorët e larguar, deri më tash, janë përkujdesur për mirëmbajtjen e makinerisë e monitorimin e 267 hektarëve vend që zë kjo ndërmarrje.

Nga 41 punëtorët, tashmë kanë mbetur vetëm 18, Menaxheri i Përgjithshëm i Ndërmarrjes dhe 17 roje.

Por, nëse vendimi për largim të punëtorëve nuk shqyrtohet, me dorëheqje nga ndërmarrja do të largohet edhe menaxheri, Shefik Imeri.

“Dje unë i kam njoftuar ata që në qoftë se nuk i kthejnë punëtorët në punë, unë e kam ofruar dorëheqjen time morale, sepse nuk mund të vazhdoj kështu, pra jemi në përkrahje të tyre, sepse e kanë me të drejtë”, është shprehur Imeri.

KOHA ka adresuar pyetje edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit lidhur me këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur.