Arbëri

AKK-ja i quan dezinformata deklaratat e MPL-së se Peja e Istogu s’kanë buxhet për luftimin e COVID-19

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar, për siç thotë ajo, dezinformatave të Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL) se Peja e Istogu nuk kanë buxhet për menaxhimin e COVID-19.

Në një reagim ndaj MPL, thonë se po reagojnë ndaj “tendencës së manipulimit me opinionin publik ku thuhet se komuna e Pejës dhe Istogut nuk kanë ndarë asnjë EURO për menaxhimin e Covid 19, gjë e cila nuk është e vërtetë dhe nuk qëndron si e tillë”.

“Për sqarim të opinionit publik, ju njoftojmë së që të dy këto komuna dhe pothuajse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, edhe pse në fillim MAPL, e tanishmja MPL kishte marrë vendim që komunave mos t’i shqyrtohej ligjshmëria e akteve komunale, që ishte e barabartë me mos-lejim të rivlerësimit të buxheteve komunale, e që më vonë nën presionin e Asociacionit të Komunave të Kosovës ndryshuan vendimin, kanë ndarë mjete për menaxhimin e situatës me Covid-19 në territorin e Komunave përkatëse”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Tutje, theksohet se Komunat e Kosovës dhe kryetarët e saj janë në vijë të parë të frontit duke luftuar parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Kërkojmë nga MPL, që përveç dezinformatave ndaj komunave, t’i përkrah ato, nëse nuk mundet financiarisht, atëherë të mos përhapë dezinformata dhe më sa paku që mund të bëj , t’i kërkoj falje kryetarëve të komunave”, thuhet tutje.

Komuna e Pejës dhe ajo e Istogut, sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal, nuk kanë ndarë deri tash buxhet për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Në një grafikon të shpenzimeve të komunave për menaxhimin e pandemisë, prapa Komunës së Pejës dhe Istogut qëndron numri zero te shpenzimet për menaxhim të pandemisë.

Mirëpo, siç ka raportuar dje KOHA, sipas Komunës së Pejës, kjo e dhënë nga Ministria është e gabuar, pasi siç tha drejtori i Financave, Jeton Abazaj, Kuvendi Komunal dy herë ka miratuar kërkesat e ekzekutivit për ndarjen e mjete për menaxhim të pandemisë.