Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Akademia e Sigurisë shton aktivitetet kundër ekstremizmit të dhunshëm

Ismail Smakiqi, drejtor i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, duke folur për mënyrën e shkollimit të pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë, në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se kjo Akademi ka nisur trajnimet kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Edhe pse e ka konsideruar si problem të ri ekstremizmin e dhunshëm, Smakiqi ka thënë se institucioni që ai drejton po merr pjesë nëpër konferenca të ndryshme për të fituar më shumë përvojë në luftën kundër ekstremizmit.

Smakiqi konsideron se arsimimi në fushën e sigurisë mund të jetë faktor kyç në sigurinë e Kosovës dhe këtë e ka treguar me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në akademi.

“Është ideja që akademia është model i mirë që jo shumë njihet, por gjitha gjeneratat janë së bashku, gjithë komunitetet në Kosovë punojnë bashkë. Mësimi kryhet në gjuhën shqipe, por është i garantuar në gjuhën serbe. Ne kemi studentë të të gjitha komuniteteve. Prej 290 kadetëve, më shumë se 40 kanë qenë serbë. Ata kryejnë punët së bashku”, ka thënë Smakiqi.

Në “Express Intervistën”, Smakiqi ka thënë se Akademia ofron programin bachelor, por është sistem i mbyllur në të cilin të drejtë aplikimi kanë vetëm pjesëtarët e fushës së sigurisë.

“Për të aplikuar duhet të jesh pjesëtarë në fushën e sigurisë, do të thotë, polic apo zjarrfikës dhe tjera institucione të sigurisë, dhe të ketë së paku tre vjet përvojë”, ka thënë veç të tjerash ai.