Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aftësimi profesional mundësi e mirë për punësimin, thotë Reçica

Në kuadër të vizitave në Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP), ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, vizitoi edhe qendrat në Gjilan dhe Ferizaj, ku pa nga afër shumë të rinj e të reja duke ndjekur kurse të aftësimit në fusha të ndryshme, si: zdrukthëtari, administrim biznesi, saldim, dizajn, hotelieri, etj.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se nga të rinjtë, disa nga ta me studime pasuniversitare të përfunduara, ministri u njoftua në detaje rreth njohurive që ata po përfitojnë në trajnimet që po ndjekin në këto qendra.

Në Gjilan, ministri takoi edhe Lavdrim Hysenin, i certifikuar në dizajn grafik, i cili tregoi se aftësimi i përfituar në QAP i ka ndihmuar për të gjetur një vend pune, transmeton Koha.net.

Reçica u shpreh i kënaqur nga puna që pa në këto qendra dhe nga vullneti i të rinjve për punë.

"Sot isha në QAP në Gjilan dhe Ferizaj dhe mund të them se jam i kënaqur nga puna që pash në këto qendra. Takova shumë të rinj e të reja të cilët kanë përfunduar studimet universitare dhe kanë zgjedhur të vizitojnë këto qendra për t’u aftësuar në profile të ndryshme, si dhe u njoftova nga përfaqësuesit e qendrave se shumica e të certifikuarve arrijnë të gjejnë punë apo hapin bizneset e tyre më pas", tha ai.

Reçica tha se aftësimi dhe riaftësimi profesional, në kuadër të masave aktive të tregut të punës, janë mundësi e jashtëzakonshme për të gjetur një vend pune dhe bëri thirrje që të vizitohen sa më shumë këto qendra për të ndjekur trajnimet dhe për t’u aftësuar në një laramani profilesh që ofrohen në QAP.​