Drejtimi i Elektroenergjetikës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) të Universitetit të Prishtinës rrezikon të mbyllet për shkak të pensionimit të stafit të rregullt akademik.
Kjo situatë është rënduar sidomos viteve të fundit meqë stafi i rregullt akademik i ka takuar gjeneratës së njëjtë duke bërë që brenda 1 viti të pensionohen përnjëherë disa profesorë, shkruan sot Koha Ditore.
Ky konstatim ka dalë në raportin “Gjendja në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK)” që e ka publikuar të mërkurën organizata “Admovere”.
Raporti ka evidentuar edhe probleme të tjera në FIEK. Sipas raportit, programet e studimit Elektroenergjetika dhe Automekanika kanë shpërputhje mes numrit të profesorëve të pensionuar dhe numrit të profesorëve e të asistentëve të rinj të kërkuar me konkurs. Kjo shpërputhje, sipas “Admoveres”, është edhe më e madhe kur kihet parasysh se këto konkurse nuk kanë qenë vetëm për pozita të reja mësimdhënëse, por edhe për rishpallje dhe avancime të pozitave ekzistuese mësimdhënëse.
Raporti konstaton po ashtu se gjysma e stafit akademik janë me formim akademik tërësisht vendor. Aty thuhet se vetëm 5 pjesëtarë të stafit akademik të këtij fakulteti i kanë mbaruar jashtë vendit e në gjuhë të huaja studimet e doktoratës.
“Një në katër pjesëtarë të stafit akademik është i angazhuar edhe në ndonjë institucion tjetër të arsimit të lartë publik ose privat. Përpjesa profesor-studentë gjatë procesit të ligjëratave është 1:43 e në provime, ku përveç studentëve të rregullt, hyjnë edhe ata përsëritës, përpjesa rritet 1:76”, thekson raporti.
Drejtori i “Admoveres”, Shkëlzen Gashi, ka thënë se në bazë të bisedave me profesorë të këtij fakulteti, ku është diskutuar rreziku i mbylljes së drejtimit të Elektroenergjetikës, është thënë se nëse ndodh një gjë e tillë, pasojat për ndërmarrjet KEK, KOST, KEDS, “Trepça” dhe “Infrakos” mund të jenë katastrofale. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)