Miliona euro janë derdhur në emër të integrimit të katër komunave veriore, të cilat popullohen me shumicë serbe. Burimet kryesore të financimit në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok janë nga buxheti i Kosovës, nga donacionet e Bashkimit Evropian dhe ndihma financiare nga Serbia, e cila vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat paralele.
Sukses ishte konsideruar edhe krijimi i Fondit Zhvillimor për komunat veriore, në vitin 2013, pas një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Pas një periudhe të mirë të grumbullimit të të hyrave, muajt e fundit, Fondi ka pësuar rënie drastike. Shkaqet që kanë sjellë këtë gjendje janë duke u hetuar, me kërkesë të Bashkimit Evropian. Arsyeja kryesore për rënien e të hyrave është zvogëlimi i importit nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina pas vendosjes së taksës prej 100 për qind, shkruan sot Koha Ditore.
E mjetet që tashmë janë derdhur në xhirollogaritë e komunave janë shpërndarë nëpër projekte të ndryshme. Por shpenzimi i tyre është shoqëruar me abuzime dhe me mungesë të transparencës.
Problemet me Fondin, iniciohet auditim përcjellës
Auditim përcjellës për Fondin Zhvillimor, me qëllim që të jepet vlerësim mbi nivelin e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, ka iniciuar Zyra Kombëtare e Auditimit. Kjo e dhënë është konfirmuar nga Zyra, e cila ka ofruar sqarime përkitazi me hetimin e pasqyrave financiare të Fondit. Sipas tyre, auditimi përcjellës është iniciuar edhe me kërkesën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, “me qëllim të përfitimit të informacionit nëse palët e përfshira në auditim kanë kryer obligimet institucionale, për të siguruar menaxhim më të mirë dhe nëse Fondi është duke arritur objektivat e synuara”.
“Sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, Institucionet Supreme të Auditimit duhet të përcjellin zbatimin e rekomandimeve të dhëna për të vlerësuar nëse institucionet publike kanë ndërmarrë masat adekuate për përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike. Meqenëse rekomandimet e auditimit të performancës kërkojnë një kohë më të gjatë për zbatim, përcjellja e tyre duhet të bëhet pas një periudhe të përshtatshme”, ka thënë për gazetën Saranda Husaj Baraliu- udhëheqëse e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Auditim.
“Objektivë primare e auditimit përcjellës është të vlerësojë se sa janë zbatuar rekomandimet e dhëna në Raportin e Auditimit. Ky auditim përmban edhe dy objektiva shtesë. E para, është të vlerësoj nëse katër komunat përfituese kanë shpenzuar mjetet nga Fondi në pajtim me ligjet dhe rregulloret përkatëse dhe nëse i kanë arritur objektivat e synuara, si dhe objektiva e dytë është identifikimi i shkaqeve për rënien e të hyrave të dedikuara për këtë fond viteve të fundit”, ka shtuar ajo.
Burimet fillestare të fondit janë caktuar të jenë taksat doganore, taksat indirekte dhe obligimet e tjera në dy pikëkalimet kufitare në veri, Jarinjë e Bërnjak – siç janë tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza.
Rënia e të hyrave të Fondit ka ardhur pas taksës së qeverisë prej 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë për ulje të importit nga Serbia nga 12.3 për qind, sa ka qenë në tetor të vitit të kaluar, para vendosjes së taksës, në 0.7 për qind në korrik të këtij viti.
Raporti i Auditimit përcjellës për Fondin Zhvillimor është planifikuar të publikohet në fund të vitit 2019. Deri atëherë Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se nuk mund të ofrojë informacion përkitazi me nivelin e zbatimit të rekomandimeve të auditimit të vitit 2017.
Gazetari dhe analisti nga veriu i Mitrovicës, Branislav Kërstiq, thotë se hetimi i Fondit është i domosdoshëm. Sipas tij, deri më tani shumica e fondeve qeveritare dhe jo qeveritare janë keqpërdorur dhe kanë përfunduar në xhepat e politikanëve të fuqishëm.
“Asgjë nuk është transparente në veri. Aktualisht e gjithë paraja në veri kontrollohet nga Beogradi nëpërmjet Listës Serbe. Themelimi i Fondit Zhvillimor do të mund kontribuonte në stabilizimin e veriut, nëpërmjet investimeve”, thotë Kërstiq. Ai ka shtuar se edhe pse Bashkimi Evropian ka ndarë shumë para për veriun, nuk ka pasur mbikëqyrje për mënyrën sesi janë shpenzuar dhe shpërndarë ato nëpër projekte.
“Kjo mungesë e kontrollit ka krijuar terren që të ndodhin edhe keqpërdorimet”, është shprehur Kërstiq.
Auditimi i parë dhe i vetëm nga institucionet e Kosovës kishte për qëllim t’i ofrojë ministrit të Financave dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian një vlerësim lidhur me menaxhimin e projekteve kapitale të financuara nga Fondi dhe nëse është arritur qëllimi i synuar. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 13 rekomandime.
Gazeta ka pyetur edhe palët e përfshira në auditim për çështjen e Fondit Zhvillimor. Derisa Ministria e Financave dhe Zyra e BE-s kanë folur për efektet pozitive që ka prodhuar marrëveshja për themelimin e këtij fondi, komunat veriore nuk kanë ofruar asnjë të dhënë.
“Në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për Doganat, të ardhurat që mblidhen në dy pikat e kalimit kufitar në veri- Jarinje dhe Bernjak nga mallrat e importuara prej bizneseve të regjistruara në veriun e Mitrovicës, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq- janë dedikuar për Fondin. Që nga viti 2014, kur Fondi është themeluar, e deri më tani, janë mbledhur gjithsej mbi 15,6 milion euro”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë. Sipas tyre, deri tani Bordi Menaxhues për Fondin ka aprovuar 33 projekte.
“Fondi Zhvillimor ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë dobinë e tij për t’iu sjellë përfitime komunave veriore në përputhje me Ligjet e Kosovës. Bordi Menaxhues vazhdon të punojë drejt zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm”, kanë thënë ata.
Bordit Menaxhues, në të cilin BE-ja ka përfaqësuesin e vet, Auditori i ka rekomanduar të themelojë grupin punues në mënyrë që monitorimi të prodhojë rezultatet e dëshiruara mbi ecurinë e projekteve dhe kohën e realizimit. Po ashtu, i është rekomanduar të angazhojë ekspertë të fushave përkatëse për vlerësimin e projekteve specifike, pasi që projektet e dërguara nga komunat ishin komplekse; të kërkojë nga komunat përfituese të raportojnë në baza të rregullta mujore lidhur me progresin në realizimin e projekteve kapitale; dhe të takohet në baza të rregullta për të shqyrtuar me kohë projekt-propozimet nga komunat. Po ashtu, me qëllim të përfshirjes së projekteve në Ligjin e buxhetit të vitit vijues, Bordit i është rekomanduar të konsiderojë aprovimin e projekteve para rishikimit të buxhetit.
Ministria e Financave nuk ka ofruar të dhëna për masat që kanë ndërmarrë në funksion të përmbushjes së rekomandimeve.
Prej saj është kërkuar të sigurojë se të gjitha projektet e aprovuara nga Bordi vendosen në Ligjin e buxhetit të rishikuar. Po ashtu, është kërkuar që t’i jepet fund praktikës së alokimit të buxhetit tek komunat për projektet të cilat nuk janë pjesë e Ligjit të buxhetit. Ministrisë që menaxhon kuletën e shtetit i është rekomanduar që të rrisë bashkëpunimin me komunat për të siguruar që zyrtarët komunalë kanë kuptuar kërkesat ligjore dhe rregullat për menaxhim financiar dhe kontroll, si dhe të rishikojë mundësinë e ndarjes buxhetore tё Fondit duke u bazuar nё natyrën e projekteve. Kjo do t’iu mundësonte komunave procedimin e pagesave nё përputhje me planin dhe pasqyrim mё tё saktë tё shpenzimeve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, totali i mjeteve të transferuara nga viti 2013 deri tani, nga llogaria e Buxhetit të Kosovës (BQK) në llogarinë e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit është 15 milionë e 657 mijë e 764 euro.
Zëdhënësi i këtij dikasteri, Muharrem Shahini, i ka thënë gazetës se në total komunat kanë arritur që t’i realizojnë projektet në vlerë prej 8 milionë e 613 mijë e 417 euro. Ndërsa nga mjetet e ndara nga ky fond kanë mbetur të pashfrytëzuara edhe 2 milionë e 405 mijë e 334 euro.
Shkeljet në zbatimin e projekteve
Por cilat janë shkeljet më të mëdha gjatë realizimit të projekteve me mjetet e Fondit Zhvillimor. Aty bën pjesë projekti në vlerë prej rreth 400 mijë eurosh- “Mbështetje për Ndërmarrjet e Vogla dhe tё Mesme”, i Komunës së Mitrovicës Veriore. Ai ishte klasifikuar si buxhet nё kategorinë e investimeve kapitale. Pagesa për këtë projekt nё vlerë prej 175 mijë e 776 eurosh apo 44 për qind e totalit të kontratës ishte kryer nga investimet kapitale. Këto shpenzime janë tё natyrës sё mallrave dhe shërbimeve dhe, sipas Auditorit, ato duhej tё klasifikoheshin si të tilla.
Situatë e njëjtë ka qenë edhe me Komunën e Leposaviqit për projektin- “Mbështetje për fillimin e bizneseve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimi i bujqësisë”. Buxheti dhe pagesa në vlerë prej 14 mijë e 236 eurosh ishte kryer nga investimet kapitale.
Edhe në Komunën e Zveçanit buxheti për projektin për “Zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, në vlerë prej 410 mijë e 200 eurosh të paguara 61 mijë e 530 euro, ishin klasifikuar në kategorinë e investimeve kapitale. Po kështu, edhe projekti “Mbështetja e OJQ-ve përmes aktiviteteve sportive dhe kulturore” në vlerë prej 79 mijë e 648 eurosh dhe pagesa prej 11 mijë e 950 eurosh ishte buxhetuar dhe kryer nga investimet kapitale. Kontrata ishte nënshkruar më 10.8.2016, ndërsa Pro-fatura mbante datën 9.7.2016. Pra, një muaj para nënshkrimit të kontratës.
Midis gjetjeve gjatë auditimit është edhe nënshkrimi i kontratave pa u aprovuar projekti nga Bordi.
Komuna e Leposaviqit kishte nënshkruar kontratën trevjeçare kornizë tetor 2015/2018 me 655 euro -çmimi për njësi për ‘Ndërtimin dhe riparimin e rrugëve lokale’, pa aprovim të projektit nga Bordi Menaxhues i Fondit. Kontrata ishte nënshkruar më 17.10.2015, ndërsa projekti është aprovuar nga Bordi Menaxhues më 11 shkurt 2016. Pra, kontrata është nënshkruar tre muaj para se të aprovohet projekti.
Për të njëjtin projekt, edhe në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Leposaviqit, auditorët kanë identifikuar mangësi në procesin e prokurimit. Komuna nuk kishte kryer vlerësimin paraprak të nevojave për furnizim, respektivisht punë, nuk e kishte njoftuar Agjencinë Qendrore të Prokurimit për aktivitetin e prokurimit dhe në deklaratën e disponueshmërisë së mjeteve nuk ishin cekur vlerat e përllogaritura të kontratave.
Komunave përfituese, po ashtu, u është rekomanduar që projektet kapitale të aprovuara nga Bordi të jenë pjesë e kërkesave buxhetore të dërguara në Ministrinë e Financave për të mundësuar vendosjen e projekteve në Ligjin e Buxhetit.
Ministrja në dorëheqje e Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, ka udhëhequr me Zyrën Administrative të Mitrovicës së Veriut, kohën kur ishte themeluar Fondi Zhvillimor. Ajo insiston se shfrytëzimi i mjeteve ka qenë racional dhe në respektim të ligjeve të Kosovës.
Hoxhiq ka përmendur një sërë projektesh, për të cilat thotë se kanë kontribuuar në zhvillimin e Mitrovicës së Veriut.
“Fondi zhvillimor është krijuar me qëllim të zhvillimit infrastrukturor të veriut të Kosovës, përkatësisht për zhvillimin e 4 komunave veriore, me një arsyetim të logjikshëm, sepse prej vitit 1999 e deri në formimin e Fondit Zhvillimor, Qeveria e Kosovës nuk ka investuar në veri të Kosovës”, ka thënë Hoxhiq.
“Pasi që Fondi Zhvillimor si i tillë është një risi në përgjithësi, sepse nuk ka ekzistuar më parë, por edhe duke marrë parasysh që komunat në veri janë komuna të reja dhe nuk e kanë stafin e kompletuar- shfrytëzimi i mjeteve të dedikuara për to ka mundur të jetë edhe më i madh, sepse nevojat janë të mëdha”, ka shtuar Hoxhiq.
Por, sipas gjetjeve të auditorit dhe përfaqësuesve politikë në veri, projektpropozimet nuk u janë nënshtruar as dëgjimeve publike dhe nuk janë shqyrtuar në kuvendet komunale, për të siguruar se projektet janë në pajtim me interesat e qytetarëve, gjë që do të ndikonte edhe në rritjen e transparencës.
Të pakënaqur me mënyrën e shpenzimit të parasë publike janë shprehur përfaqësues të komuniteteve joserbe në veri. Zëvendëskryesuesi në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Bashkim Cimili, ka thënë se shumica e projekteve kanë shkuar nëpër zonat e banuara me shumicë serbe.
përgjithësi, në veri nuk ka transparencë sa i përket shpenzimit të parasë publike. Nuk kemi parë ndonjë projekt që është përkrahur prej Fondit Zhvillimor nëpër lagjet multienike, apo në ato me shqiptarë. Kemi kërkuar vazhdimisht prej personave kompetentë që të vijnë dhe të konsultohemi, të bashkëbisedojmë për kërkesat tona, por kjo nuk ka ndodhur”, thotë Cimili. Ai shton se propozimet i kanë adresuar nëpërmjet Kuvendit Komunal, siç është ajo për ndërtimin e një shkolle në Lagjen e Boshnjakëve dhe ndërtimin e një ambulance- por që deri më tani nuk janë realizuar.
Adrijana Hoxhiq thotë se liderët lokalë duhet të janë të gatshëm që në çdo moment t’i prezantojnë nevojat e qytetarëve përmes projekteve të detajuara dhe të insistojnë që realizimi i tyre të ndodhë sa më parë, sepse, siç ka thënë ajo, vetëqeverisjet lokale ekzistojnë për t’iu shërbyer qytetarëve.
“Personalisht, besoj që të gjitha palët që marrin pjesë në realizimin e Fondit Zhvillimor duhet të jenë më shumë të angazhuara, shumë më proaktive. Është fakt qe një kohë të gjatë, për shembull, takimet e Bordit për Fondin Zhvillimor nuk janë mbajtur fare”, është shprehur Hoxhiq.
Me probleme të mëdha sa u përket financave ballafaqohet Komuna e Leposaviqit.
Haki Imeri, i cili udhëheq Zyrën për komunitete në Leposaviq, thotë se vitet e fundit Komuna është zhytur në borxhe.
“Komuna ka pasur borxhe dhe kjo ka ndikuar që niveli i realizimit të projekteve të jetë zero. Pushteti paraprak e ka futur Komunën në borxhe të mëdha, të cilat janë rreth katër milionë euro. Faktikisht investime kapitale nuk kemi pasur”, shprehet Imeri. Zyra që ai drejton numëron shtatë punëtorë- katër prej të cilëve janë shqiptarë, dy serbë dhe një boshnjak.
“Zyra jonë financohet prej Komunës së Leposaviqit, por dy vjetët e fundit ballafaqohemi edhe me mungesë të financave, për shkak të problemeve të Komunës”, ka thënë Imeri. Sa i përket transparencës financiare, ai thotë se, edhe pse udhëheqja u është nënshtruar disa procedurave, nuk dihet saktë se kah shkojnë paratë.
“Duke i llogaritur specifikat e veriut, nuk është se kemi qasje në shpenzimet. Rrjedhimisht, nuk është se ka pasur kushedi çfarë transparence”, ka thënë ai.
Në Kuvendin Komunal të Leposaviqit nuk ka asnjë këshilltar shqiptar.
Por situatë tjetër ka prezantuar zëvendëskryesuesi për komunitete, Agim Hasani, në Komunën e Zubin-Potokut. Ai thotë se projektet i janë nënshtruar debatit në Kuvend Komunal dhe ka pasur mbikëqyrje gjatë zbatimit të tyre.
“Po ashtu, janë realizuar disa investime në zonat ku banojnë shqiptarët. Ka rregullim të kanalizimit, riparime të rrugëve. Kuvendi ka paraparë shtrimin e disa rrugëve, edhe pse shumica prej tyre në Çabër tashmë janë përfunduar”, thotë ai. Çabra është fshati i vetëm shqiptar në Komunën e Zubin-Potokut, të populluar me shumicë serbe.
Bazuar në Marrëveshjen e Brukselit, mjetet për Fondin kanë filluar të mblidhen nga muaji dhjetor i vitit 2013. Komunat përfituese kanë aplikuar me projektpropozime nga mesi i vitit 2015. Bordi Menaxhues ka arritur të aprovojë projektet e para në përfundim të vitit 2015, kurse realizimi i projekteve ka nisur në fillim të vitit 2016.
Mbështetur në tabelën e përditësuar në fund të vitit 2018, numri i projekteve për Leposaviq është pesë, në vlerë prej më shumë se dy milionë euro. Projekti kryesor është ai për mbështetjen e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, si dhe zhvillimin e bujqësisë, në vlerë prej 544 mijë eurosh.
Në Zveçan janë duke u zbatuar 11 projekte, vlera e të cilave është 3 milionë euro, kurse në Zubin-Potok janë tetë projekte, shuma e të cilave është 2 milionë e gjysmë euro.
Totali i projekteve që janë duke u zbatuar në Mitrovicën e Veriut është pesë, në vlerë prej 3 milionë e 415 mijë eurosh. Ndër projektet më të mëdha është ai për ndërtimin e objektit të ri të Komunës, me financim të Bashkimit Evropian. Ndërkaq shpronësimi në vlerë prej 604 mijë eurove është bërë me mjetet e Fondit Zhvillimor. Edhe pse shumica e punimeve kanë përfunduar, nuk ka ndodhur ende funksionalizimi i saj. Punët ekzekutive në Mitrovicën e Veriut vazhdon t’i kryejë Zyra Administrative, e cila ndodhet pak metra tutje objektit të ri.
Sipas Bashkim Cimilit, deri tani ka munguar vullneti politik nga ana e kryetarit Goran Rakiq, që ta funksionalizojë Komunën dhe t’i krijojë drejtoritë e reja.
Një projekt tjetër i cili është financuar nga Fondi Zhvillimor në Mitrovicën e Veriut është ndërtesa e zjarrfikësve. Sipas ish-shefes së Zyrës Administrative, Hoxhiq, përveç ofrimit të kushteve më të mira për Njësinë e zjarrfikësve, me vendim të Kuvendit është bërë edhe zhvendosja e këtij objekti, “me qëllim që përveç përmirësimit të kushteve ta kemi edhe vetë qytetin të organizuar më mirë”. Vlera e këtij projekti është 652 mijë e 598 euro.
Përveç burimeve nga pikat kufitare në veri, Fondi është proklamuar si i hapur edhe ndaj burimeve të tjera. Zyra e BE-së kishte dhënë paralajmërimin se këto burime do të hulumtoheshin në një fazë të mëvonshme.
Veriu, parajsë fiskale
Ekonomia në veri në masë të madhe varet nga institucionet e sektorit publik, të cilat operojnë në kuadër të sistemit të Serbisë dhe atij të Kosovës.
Të shumta janë sfidat me të cilat ballafaqohet shteti sa i përket instalimit të një ambienti biznesor në veri. Kryesorja është mungesa e sundimit të ligjit, mungesa e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike.
Shumica e bizneseve i japin llogari sistemi financiar të Serbisë, ku përveç regjistrimit në institucionet përkatëse, dinari përdoret si mjet kryesor pagese në veri.
Sa u përket investimeve nga Serbia, sipas gazetarit Branislav Kërstiq, prej vitit 2012-2017 në Kosovë janë realizuar 287 projekte, në vlerë mbi 100 milionë euro.
“Shumica prej tyre kanë shkuar në xhepat e ministrave serbë që merren me Kosovën”, ka thënë ai.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në prill të vitit 2013, Kosova instaloi sistemin doganor në pikat kufitare në veri. Kjo ndikoi në rritjen e numrit të bizneseve që i paguajnë tatim shtetit.
Tregtia mes tri nacionaliteteve- serb, boshnjak dhe shqiptar zhvillohet pranë urës së vjetër mbi lumin Ibër, skaj rrugës e cila shpie për në qytetin verior edhe me makinë. Zona e Lagjes së Boshnjakëve është shndërruar në një mini-qendër të biznesit. Aty janë hapur ndërmarrje që merren me shitjen e tekstilit, ofrim të shërbimeve në restorante apo përpunim të drurit. Shumica prej tyre kanë numër fiskal të Kosovës.
“Jemi detyruar ta regjistrojmë biznesin, edhe pse nuk është se kemi shumë punë”, ankohet pronari boshnjak i një dyqani, i cili merret me prodhimin e kuzhinave.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për qëllim të hulumtimit ka ofruar të dhëna përkitazi me të hyrat që realizojnë në katër komunat e veriut. Zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi-Sefa, ka thënë se komunat e veriut marrin pjesë me rreth 14.7 për qind të të hyrave, ku përfshihen rreth 13-14 për qind e bizneseve.
Sipas saj, në komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok numri i bizneseve të regjistruara është 1 mijë e 32, të cilat për vitin 2018 kanë pagur 1.7 milionë euro obligime tatimore.
“ATK ka aktivitete edhe në pjesën veriore, por jo aq sa duhet dhe aq sa ka nevojë implementimi i ligjit edhe në atë pjesë, kjo për shkaqe të sigurisë. Mirëpo në të shumtën e rasteve gjatë aktiviteteve tona kemi pasur mbështetje nga Policia e Kosovës. Aktivitetet që janë zhvilluar janë vizita të rregullta, kontrolle, bastisje”, ka thënë Bytyqi-Sefa. Numri i gjobave të shqiptuara nga ATK-ja për vitin 2018-2019 është 91.
Numri i zyrtarëve të punësuar që mbledhin tatime në veri ka qenë 5, ndërsa pas Marrëveshjes së Brukselit janë punësuar 15 tjerë. Zyrtarë serb në Drejtorinë Rajonale për Mitrovicë janë gjithsej 20.
Edhe Serbia ka një degë të Drejtorisë Tatimore në Mitrovicën e Veriut dhe nga një zyre në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Në veri të Kosovës funksionon edhe Banka Popullore e Serbisë, e cila kryen veprimtarinë e saj nëpërmjet degës në Kragujevc dhe sportelit në Mitrovicën e Veriut.
Në veri të Kosovës vepron edhe shërbimi profesional bujqësor, “Mitrovica e Kosovës”, të cilin e ka themeluar Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore e Serbisë. Ky shërbim është aktiv në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok, Leposaviq, Vushtrri dhe Skënderaj.
Në Lagjen e Boshnjakëve ndodhet edhe objekti i telefonisë mobile nga Serbia “MTS”. Licencimi i këtij operatori është rezultat i negociatave teknike mes Kosovës dhe Serbisë. Në këmbim të operatorit serb për veriu, Kosovës iu nda kodi telefonik ndërkombëtar +383.
Veriu i populluar me shumicë serbe e mban epitetin e “parajsës fiskale”, edhe kur bëhet fjalë për pagesën e shërbimeve elementare sikurse janë energjia, uji dhe taksat e tjera komunale.
Derisa shumica prej konsumatorëve individualë nuk faturohen për energjinë e shpenzuar, institucionet dhe bizneset në qendër të Mitrovicës Veriore janë të pajisura me njehsorë elektrikë. Disa të tillë janë vendosur edhe në banesa kolektive. “Makel” është firma që mban një orë e vendosur në njërën prej tyre. Kosova ka pranuar ta lejojë Elektro-Ekonominë e Serbisë (EPS) një kompani për shpërndarje të energjisë. Marrëveshja parasheh që të jetë vetë EPS-ja ajo që dorëzon dokumentet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), nëpërmjet të cilit aplikohet për regjistrim. Madje, me marrëveshje është precizuar edhe emri i kësaj kompanie – “ElektroSever”.
Por aplikimi për regjistrim i kësaj kompanie është refuzuar katër herë, për shkak se nuk i ka respektuar ligjet e Kosovës. Aplikacionet u refuzuan për shkak se statuti i “Elektroseverit” nuk ka theksuar dispozitat e ligjeve të Kosovës, por ato të Serbisë. Me Statut po ashtu nuk është përcaktuar vendi i funksionimit të kompanisë, duke lënë të nënkuptohet se ajo është Serbia.
Shteti serb është themelues edhe i disa ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare të cilat veprojnë në territorin e Kosovës. Në veri ekzistojnë tri ndërmarrje që janë pjesë e Elektroekonomisë së Serbisë (EES)- Termocentralet e Kosovës, Mihjet Sipërfaqësore të Kosovës dhe Elektrokosmet Prishtina. Në faqen zyrtare të EPS-së theksohet se nga mesi i vitit 1999, EES nuk ka kontroll mbi punën e këtyre ndërmarrjeve, pra “nuk menaxhon me kapacitetet elektroenergjetike dhe minerare në territorin e Kosovës”. Në programin afarist trevjeçar të EES-së për periudhën 2017-2019, theksohet se këto tri ndërmarrje gjatë vitit 2016 i kanë pasur 4097 punonjës.
Sfidë tjetër në veri mbetet moszbatimi i ligjeve dhe i rregulloreve për vendosjen e taksave, tarifave dhe ngarkesave, të cilat do të gjeneronin të hyra. Ato nuk janë duke zbatuar Ligjin për tatimin në pronë dhe Ligjin për ndërtimet.
Beteja për resurset
Resurset që dikur ishin promotorë të zhvillimit ekonomik, jo vetëm për veriun e populluar me shumicë serbe, nuk e kanë namin e dikurshëm. I tillë është edhe gjiganti metalurgjik “Trepça”, i cili vazhdon të funksionojë i ndarë- në veri dhe jug të Mitrovicës.
Ndonëse Kosova ka miratuar Ligjin dhe Statutin, rimëkëmbja e “Trepçës” dhe bashkimi i dy pjesëve është larg së realizuari.
Aktualisht “Trepça” është në gjendje të rëndë financiare, ndërsa menaxhmentet e dy pjesëve nuk kanë asnjë komunikim mes vete.
Mbështetur në Ligjin dhe Statutin e miratuar, të tri njësitë në të cilat Qeveria i ka aksionet kryesore do të qeverisen nga një Bord i vetëm mbikëqyrës dhe një Bord tjetër menaxhues.
Reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të Beogradit zyrtar pati nxitur ndryshimi i statusit të tri njësive kryesore të “Trepçës”. Deputetët serbë janë zotuar se Ligji nuk do të gjejë zbatim kurrë në së paku një njësi të kthyer në shoqëri aksionare, e cila ndodhet në veri.
Gazeta ka vizituar kompleksin administrativ të “Trepçës” në Zveçan dhe ka tentuar ta bisedojë me menaxhmentin e atjeshëm. Por zyrtarë të tij nuk kanë lejuar hyrjen brenda duke thënë se askush nga Prishtina nuk është i dëshirueshëm dhe s’kanë kurrfarë informacioni për të dhënë. Kanë kërcënuar me thirrje të policisë edhe kur u është kërkuar të lejohet vetëm fotografimi i kompleksit.
Në të kaluarën kompleksi minerar i “Trepçës” ishte një prej ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi, ku përbënte rreth 70 për qind të industrisë nxjerrëse. Në periudhën mes viteve 1965 dhe 1985 kur ky kompleks ishte në “epokën e artë”, mesatarja e numrit të punëtorëve në të gjitha njësitë ishte rreth 11 mijë. Sot pjesa jugore e ndërmarrjes ka të punësuar rreth 1500 punëtorë, ndërsa pjesa veriore, e cila menaxhohet nga serbët, ka afërsisht dyfishin e këtij numri.
Resurs tjetër me rëndësi strategjike është Liqeni i Ujmanit, të cilit serbët i referohen si Gazivoda.
Penda e liqenit më të madh artificial, i ndërtuar midis viteve 1979-1984, ka një sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe shtrihet përgjatë Komunës së Zubin- Potokut. Uji i tij përdoret për ftohjen e termocentraleve në Obiliq dhe gjysma e rrymës në veri prodhohet në atë vend. Vetëm 8 orë mund të punojë Korporata Energjetike pa Ujmanin. Pa Ujmanin nuk mund të operojë “Ferronikeli” në Drenas, e as të ndërtohet ndonjë termocentral i ri. Përveçse shfrytëzohet për pije, Ujmani ujit edhe 20 mijë hektarë tokë bujqësore. 70 për qind e këtij liqeni gjendet në Kosovë, ndërkaq 30 për qind lag edhe territorin e Serbisë.
Shumica e punëtorëve në Hidrocentralin e Ujmanit janë serbë, të cilët i raportojnë ndërmarrjes publike, “Ibër-Lepenci”. Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, Qeveria e Kosovës është pronare e aseteve të të gjitha ndërmarrjeve publike, ku hyn edhe “Ibër-Lepenci”. Më herët ka pasur përpjekje që në krye të Hidrocentralit të vendoset menaxhment paralel. Madje në vitin 2015, për disa ditë ishte ndërprerë puna në Hidrocentral, shkaku i tentimit që të merret kontrolli në këtë aset.
E, veprimi jashtë sistemit energjetik të Kosovës i pendës së Ujmanit, i ka shkaktuar dëme të mëdha buxhetit. Shpesh është rrezikuar edhe tërë sistemi energjetik i Kosovës si pasojë e mosrespektimit të instruksioneve të Distribucionit të Kosovës. Operatorët e stacionit Valaç në të kaluarën kanë shkëputur në mënyrë të paligjshme sistemin dhe e kanë lidhur atë me largpërçuesin e Novi-Pazarit në Serbi. Nga ky resurs i Kosovës, Serbia vazhdon të vjelë miliona të ardhura. Llogaritet se çdo vit serbët inkasojnë 6 deri 7 milionë euro. Por, sipas marrëveshjes për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, KOSTT-i duhet ta vendosë nën kontroll nënstacionin e Valaçit në pjesën veriore dhe tërë sistemin e transmisionit. Ndërkaq ndërhyrja ilegale e operatorëve serbë në pjesën veriore, sipas marrëveshjes, duhet të pushojë duke përfshirë kontrollin dispeçerik të hidrocentralit Ujmani dhe importin në linjën 110 kilovoltëshe (kV) nga Novi-Pazari.
KOSTT-i do të mundë të arkëtonte të hyra nga energjia e transituar për vende të treta pasi me nënshkrimin e marrëveshjes ky institucion bëhet pjesë e mekanizmit për kooperim ndërmjet operatorëve në nivel evropian. Duke iu referuar të dhënave energjetike nga e kaluara, këto të hyra mund të arrijnë deri në 2 milionë.
Pretendimet e Serbisë për të futur nën kontroll Trepçën dhe Gazivodën, janë shpërfaqur edhe në Bruksel, duke tentuar që t’i shtrojë për diskutim në kuadër të dialogut me Kosovën. Por pala kosovare e ka përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë.
Turizmi, potencial i pazhvilluar
Pamja panoramike në mes të maleve të Rogoznës e bën Liqenin e Ujmanit një nga atraksionet turistike në Kosovë. Të pakta janë plazhet të cilat shfrytëzohen prej pushuesve që kryesisht janë banorë të zonës.
“Via Ferata Berim” në malin Mokra Gora është një nga atraksionet kryesore në Zubin-Potok, më e gjata e këtij lloji në rajon. Ajo gjendet 25 kilometra larg qytetit dhe rruga deri atje duhet përshkuar përgjatë vijës së Liqenit.
Faza e dytë e kompleksit “Via Ferrata” është mbështetur me mjetet e Fondit Zhvillimor, nëpërmjet projektit të komunës.
Me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian, Instituti për Zhvillim Ekonomik (Inter) në vitin 2013 ka iniciuar projektin “Outdoor In”, në kuadër të përpjekjeve për rritjen e potencialit turistik në veri.
Dragisa Mijaçiq, drejtor ekzekutiv në “Inter”, thotë se qëllimi i këtij projekti është afrimi i njerëzve dhe promovimi i turizmit në këtë anë.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm rritja e turizmit në numra, por instalimi i komunikimit ndërmjet komuniteteve. Veriu po bëhet një destinacion turistik, pa marrë parasysh situatën politike”, thotë Mijaçiq.
Shqetësime për situatën e sigurisë së fundi ka shprehur edhe Shërbimi i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, duke dhënë një paralajmërim për qytetarët britanikë. Njoftimi kishte të bënte me mundësinë e protestave të dhunshme, pas zhvillimeve rreth taksës dhe dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj.
Por Mijaçiq, përmes një reagimi publik, e kishte quajtur të padrejtë këtë alarm.
“Ne jemi duke bërë përpjekje të sjellim sa më shumë turistë këtu, dhe ata po i frikësojnë. Mendoj se kjo është e padrejtë. Pavarësisht të gjithave, këtë vit patëm shumë turistë ndërkombëtarë, të cilët janë dëshmia më e mirë për gjendjen në veri. Kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër”, insiston Mijaçiq, sipas të cilit nuk ka ndonjë rrezik për turistët në veri. Ai ka përmendur edhe një shkrim të revistës ndërkombëtare “Lonely Planet”, e cila kishte cilësuar “Via Feratan” e Zubin- Potokut ndër më të bukurat në botë.
Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK.