Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se është optimist se buxheti për vitin 2021 do të votohet, pasi kjo është në të mirë të qytetarëve.
Abrashi thotë se zgjedhjet me gjasë do të mbahen më 7 shkurt 2021.
“Kushtetuesja është autoriteti më i lartë në vend, çdo vendim i saj duhet të implementohet. Ajo çfarë është e qartë është se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do t’i kemi më 7 shkurt 2021”, ka thënë Abrashi.
Ai thotë se është për t’u përkrahur iniciativa e parlamentit për miratimin e buxhetit dhe deputetët duhet të vetëdijësohen për këtë.
“Kemi rënie prej 300-350 milionë në të hyrat e buxhetit të Kosovës. Projektvotimi i buxhetit të vitit 2021 është dokument prioritar dhe besoj se ky dokument do të votohet. Një prej amandamentimeve me siguri do të jetë 100 euro për kokë të banorit. Gjegjësisht 500 euro për familje”, ka thënë Abrashi. “Besoj që jo vetëm PDK-ja por edhe VV-ja do të vetëdijësohen se ky dokument pa marrë parasysh se kush do të udhëheq është dokument që duhet të kalojë sepse moskalimi i tij mund të jetë me pasoja katastrofale. Kosova edhe ashtu është në një moment katastrofal. E shoh një disponim te kolegët deputetë që ky të kalojë pa marrë parasysh se kush i prinë Qeverisë”.