Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se tarifa ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk po hiqet, në mesin e shumë arsyeve, edhe për shkak të zgjedhjeve në Podujevë.
Përmes një statusi në Facebook, ai këto akuza duket se ia ka adresuar partnerit të koalicionit qeverisës, Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse nuk e ka përmendur me emër.
“Sot një javë janë zgjedhjet në Podujevë; e në mesin e shumë arsyeve, heqja e tarifës po shtyhet edhe për shkak të garës në Podujevë. Ndërlidhja e vendimmarrjes për heqjen e tarifës me zgjedhjet në Podujevë, është gabim dhe keq që ka ndodh. Kryetari i ri i Podujevës do të jetë Nexhmi Rudari! Nuk mund të na prishni me Washington!”, ka shkruar Abrashi, raporton KOHA.
Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media para rreth 10 ditësh, paralajmëroi se tarifa ndaj mallrave nga dy vendet e lartcekura do të hiqet pjesërisht nga 15 marsi, ndërsa tha se nëse Serbia e ndalon fushatën për çnjohje të Kosovës, tarifa do të hiqet krejtësisht më 1 prill.
Në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës, që do të mbahen më 15 mars, garojnë LDK-ja me Nexhmi Rudarin, LVV-ja me Shpejtim Bulliqin dhe PDK-ja me Naim Fetahun.