Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ABGJ: Të respektohet Ligji për Barazi Gjinore nga subjektet politike

Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) e Republikës së Kosovës, ju përkujton subjekteve politike pjesëmarrëse në fushatën elektorale për zgjedhje të parakohshme parlamentare të 11-të qershorit 2017, respektimin dhe zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës.

Në komunikatë thuhet se neni 6-të, pika (8-të) për përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative me përfaqësim 50 për qind për secilën gjini të respektohet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një përfaqësim i barabartë gjinor në vendim-marrjen politike e legjislative të vendit është reflektim dhe zbatim i drejtpërdrejtë si dhe jetëson Kushtetutën e Kosovës sipas së cilës “Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”, thuhet në komunikatë.

ABGJ thekson se barazia gjinore, si vlerë themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike, duhet të përshkojë listat zgjedhore për përfaqësim të barabartë, programet e partive me propozime konkrete për zhvillim të barabartë dhe cilësor mes gjinive, fuqizimin socio-ekonomik të grave, dhe nxitjen e pjesëmarrjes në votime të grave dhe burrave në Kosovë.

“Për të arritur barazinë e vërtetë gjinore dhe për të gëzuar të drejta të plota njerëzore, ndryshimet duhet të jenë të shpejta, vendimtare, të dukshme dhe gjithëpërfshirëse, prandaj duhet të kontribuojnë të gjithë që të shënojmë progresin që na detyron korniza ligjore e Kosovës dhe aspiratat dhe përpjekjet historike të gjithë brezave në Kosovë dhe obligimet ndaj gjithë qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga ABGJ.

Agjencia për Barazi Gjinore ju përkujton subjekteve politike që gjatë fushatës elektorale në gjuhën e përdorur në takime me elektoratin, programet dhe premtimet elektorale, materialet promovuese të subjekteve politike të shmangin gjuhën seksiste, të dhunshme, dhe sterotipet gjinore.

“Subjektet politike duhet të angazhohen plotësisht në sigurimin dhe përkrahjen financiare të kandidateve gra në mënyrë të barabartë sikurse dhe për kandidatët burra, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Financimin e Partive Politike dhe Ligjin Për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës”, thotë ABGJ.

Agjencia për Barazi Gjinore ndër tjerash ju bën thirrje subjekteve politike të shmangin konfrontimet e dhunshme dhe dhunën fizike ndaj gjithë kandidatëve, qofshin këta burra dhe gra, si dhe ndaj simpatizantëve dhe elektoratit.