Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku: Ushtria në koordinim me SHBA-në, e më pas me miqtë tjerë brenda NATO-s

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti, në seancën e 14 dhjetorit kur pritet të kalojnë në lexim të dytë ligjet që i japin FSK-së, mandatin e Forcës së Mbrojtjes, do sillet “siç është sjellë edhe në votimin në lexim të parë, siç ka deklaruar edhe në studiot e KTV-së kryetari Isa Mustafa dhe si është këshilluar nga partnerët ndërkombëtarë në radhë të parë me SHBA-në”.

“Çështja e mbrojtjes së Kosovës ka tejkaluar fuqinë tonë, dhe formimi i ushtrisë do të ishte i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së”, ka thënë Abdixhiku.

Kjo ka qenë përgjigja e tij indirekte ndaj zërave të anëtarëve të LDK-së se ushtria nuk është mirë të formohet pa përkrahjen e plotë të të gjithë miqve ndërkombëtar.

“Qëllimi kryesor i FSK-së është anëtarësimi në NATO dhe nuk kemi llogari të hapim fronte me një Aleancë që është mike dhe ka intervenuar këtu para 20 vitesh. Por formimi i ushtrisë duhet të bëhet në radhë të parë në partneritet me SHBA-në dhe më pas me miqtë tjerë brenda NATO-s”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se gjendja në terren nuk do të ndryshojë duke ditur se faza e transformimit të FSK-së në Ushtri do t’i marrë së paku 10 vite kohë.

“Nuk është se të premten e miratojmë Ushtrinë dhe të shtunën e zëvendësojmë me KFOR-in. Në gjendjen faktike nuk do të ndryshojë asgjë. Serbia po provon ta paraqesë këtë si faktor destabilizues në Ballkan, dhe problemin në veri ta paraqes si problem etnik, që është pjesë e propagandës serbe, dhe e cila në fakt diplomacinë kosovare e ka zënë në gjumë”, ka thënë Abdixhiku.