Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar se nga bashkëbisedimi me diplomatë të huaj, ka kuptuar se vetëm gjatë vitit 2022, mbi 49 mijë kosovarë janë pajisur me viza pune dhe kanë lëshuar vendin për në Evropë.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se çdo ditë e secilën ditë, nga 134 kosovarë e lëshojnë Kosovën. Sipas tij, vetëm këtë të diel, janë larguar 134 sosh, derisa shton se deri në fund të javës do të largohen rreth 1 mijë kosovarë nga vendi.
“Janë njerëzit tanë, fqinjët tuaj, mjekët, mësuesit, punëtorët e zanatit e profesionistët e rrallë - secili me të cilët ndani ditën - që ikin nga këtu. Qytetet po na zbrazen; fshatrat po na shuhen, shërbime të tëra publike po na mbesin pa punëtorë e profesionistë në to. Kosova thjeshtë po zbrazet dhe ne s’mund të vazhdojmë më kështu”, ka thënë ai.
Sipas tij, s’mund të vazhdohet me popullizmin e pushtetarëve e altoparlantëve të tyre depresiv që veç theqafjen e kanë si përfundim.
“Refuzojeni këtë mendësi; Kosova s’i ka borxh të tillëve! Vendi ynë s’guxon të mbyllet në rrugëtimin euroatlantik si aspiratë historike e jona. Vendi ynë s’guxon të përplaset me aleatë, tani kur i duhet mbështetja në këtë rrugëtim. Vendi ynë s’duhet të jetë peng i ankesave të së shkuarës e kauzave të turmës. E shkuara s’na ndryshon më, e ardhmja s’po na bëhet”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka shtuar se “si gjeneratë politike duhet tu japim atyre që sot mbyllin valixhet para largimit, Evropën jo si destinacion ikjeje, por si standard jetese këtu. Sepse Kosova meriton më mirë, sepse Kosova mundet më shumë”.