Arbëri

Abdixhiku kërkon nga Kurti t’i mbledhë të gjitha partitë për situatën në veri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të mbledhë gjithë spektrik politik në vend në një takim, për situatën e fundit të shkaktuar në veri të vendit. Ai ka thënë se në vend duhet të ketë unitet të plotë për situatën aktuale.

Sot në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan u sulmua. Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, qëkur serbët kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.

Abdixhiku në një postim në Facebook ka thënë se LDK-ja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët tjerë shtetërorë që nga bllokimi i rrugëve.

“Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gatishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit. Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim - pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, Abdixhiku ka bërë thirrje që ndërkombëtarët të shmangin kërcënimet e Serbisë e tensionet në veri.

Ndërkaq, kreu i partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar të papranueshme situatën në veri.

“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj. Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara!” ka shkruar ai në Facebook.