Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abazi: Fjalimi i Ramës në KiE e dëmton rëndë interesin e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pjesë e një rrjeti politik kriminal në Ballkan, duke shtuar se fjalimi i tij në Këshillin e Evropës e ka dëmtuar rëndë interesin e Kosovës.

“Janë tri arsye, e para Rama nuk e njeh se kush është Vuçiqi, më shumë besoj që Rama është pjesë e një rrjeti politik të Ballkanit i cili po mbahet gjallë nga strukturat ekonomike financiare të cilat kanë përfituar nga ekonomia e luftës dhe mandej kapitalin e njëjtë e kanë përdorur për privatizimin e astateve publike të Ballkanit perëndimorë dhe ky rrjet, ekonomik politik, në raste edhe kriminal vazhdon të sfidojë demokracinë më rajon. Fjalimi i Ramës në KE, edhe qëndrimi i tij për Ballkanin e hapur e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë e dëmtojnë rëndë interesin e vendit tonë”, ka thënë Abazi në një konferencë për media të premten.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu bëri thirrje vendeve perëndimore që t’i rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara.

Ai deklaroi të mërkurën në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, se ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bënë luftë të pastër dhe të ndershme, ndërsa tha se akuzat që iu ngritën, ishin pjesë e imagjinatës njerëzore.