Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar Qeverinë për mashtrim me paranë publike, pas pakos së re financiare të prezantuar nga ekzekutivi të shtunën për ndihmë ndaj zyrtarëve publikë.
AAK-ja e ka porositur Qeverinë se “paqja sociale nuk blihet me 50 e as me 100 euro”.
“Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjit vetullat këtij populli. Këto masa që sot janë propozuar nga Qeveria, janë vërtetë mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Partia opozitare e ka konsideruar edhe veprim anti-ligjor ndarjen e këtyre ndihmave për zyrtarët publikë.
“Të bllokohen investimet kapitale duke i lënë pa punë 60% të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen ato para për ndihma sociale, është veprim anti-ligjor, antikushtetues dhe ofendues për popullin e Kosovës”, vijon reagimi.
Sipas AAK-së, kriza nuk kapërcehet me lëmoshë, duke i rekomanduar Qeverisë disa masa urgjente.
Edhe
Partia në pushtet kritikohet se po keqpërdor arkën shtetërore për blerje votash
“Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese”.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi sot se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë për muajt e mbetur të këtij viti fiskal, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.