Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK-ja ironizon me PDK-në e LDK-në: Ata që e njohin Kushtetutën, le të na tregojnë si shkarkohet Qeveria

Aleanca per Ardhmeri te Kosoves

Foto: Arkiv

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka thënë se ky subjekt politik as nuk e ka ndihmuar kryeministrin Albin Kurti të vijnë në pushtet, “e as nuk e ndihmon për të qëndruar në pushtet”, ndërsa ka pasur kritika për Partinë Demokratike të Kosovës e Lidhjen Demokratike të Kosovës për mospërkrahje ndaj mocionit të paralajmëruar kundër Qeverisë nga AAK-ja.

Xhemaili ka thënë se është momenti i fundit që partitë tjera opozitare të tregojnë se si e mendojnë “ta çojnë Kurtin në shtëpi”, meqë sipas tij, nuk i kanë dhënë përkrahje mocionit të AAK-së.

“Përderisa partitë e tjera opozitare pajtohen që qeverisja Kurti është e dëmshme për vendin dhe se Kurti duhet sa më parë të shkojë në shtëpi, njëkohësisht hezitojnë ta mbështesin mocionin e mosbesimit të Aleancës. Ky është nje tregues serioz i pavendosmërisë për të ruajtur vendin nga rreziqet e qe i sjell qeverisja. Prandaj tani është momenti që të tregojnë se si e mendojnë ata ta çojnë Kurtin në shtëpi nëse jo përmes mocionit! Apo vërtetë presin që të ndodh ndonjë mrekulli vetvetiu?”, është shprehur Xhemaili.

Ai ka thënë se “ata që e njohin Kushtetutën”, le të tregojnë si shkarkohet Qeveria nëse jo me mocion.

“Sa për t'i rikujtuar gjithë atyre që akuzojnë se Aleanca paska ndihmuar ardhjen e Kurtit në pushtet, kjo le te mbetet ne ndërgjegjen e secilit. As se kemi ndihmuar as nuk e mbajmë në pushtet. Mos rreshtimi pas nismës për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, mund të jetë zgjatje e agonisë në vend, me ose pa vetëdije. Ju që dini me e lexu Kushtetutën a po na tregoni si shkarkohet qeveria, nëse jo me mocion?”, ka thënë Xhemaili.