Akuzat e Besnik Berishës nga LDK-AKR-Alternativa se qëndrimet e Haradinajt kanë ndryshuar karshi demarkacioni e asociacioni si rrjedhojë e parneritetit politik i kundërshton Halil Matoshi.
Matoshi, kandidat për deputet nga lista PDK-AAK-NISMA, theksoi se lideri i tij asnjëherë nuk është pajtuar me versionin aktual të demarkacionit, njëjtë siç nuk ka thënë asnjëherë “Zajednicë” për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“E para Haradinaj asnjëherë nuk është pajtuar me demarkacionin me versionin e komisionit shtetëror”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.
“Ka thënë nuk ka vend për dy republika”, ka thënë Matoshi.
Berisha i thotë se nuk e paska dëgjuar mirë ndonëse insiston që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj Asociacionin me komuna serbe e ka quajtur Zajdenicë.
“Ka thënë Zajednicë”, shtoi tutje Berisha.
Matoshi hedh poshtë edhe premtimet për rritje të buxhetit nga kandidati për kryeministër LDK-AKR-Al, Avdullah Hoti.
Ai thotë se nëse edhe ekonomisti më naiv do ta kuptonte se ky është mashtrim.
“Nëse këta mendojnë se Kosova mund ta rrisë’ buxhetin 20% atëherë unë me të vërtetë nuk po e di se ku po jetoj”, ka thënë ai.
Matoshi thotë se brenda programit të tyre qeverisës prioritet është sistemi drejtësisë dhe, sipas tij, kërkimi për performancë më të lartë ndaj gjyqësorëve nuk do të thotë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
“Vendosja e drejtësisë nuk bëhet me spastrime, unë nuk e kuptoj fjalën rivlerësim, por mund të them se Ministria e Drejtësisë mund të kërkojnë performancë më të madhe”, ka thënë ai.