“As në imagjinatë. Asnjëherë, kurrë nuk është diskutu, as në imagjinatë nuk ka qenë që të bëjmë koalicione parazgjedhore”, theksoi Fatmir Limaj, kryetar i Nisma për Kosovën i pyetur nëse ekzistonte ndonjë skenar i parapërgatitur karshi koalicioneve parazgjedhore, konkretisht bashkimit të AAK-së, Nismës e PDK-së.
Ofertën e PDK-së, e cila hoqi dorë nga postet vetëm për një bashkëpunim me AAK-në e Nismën, duke i dhënë kështu postin e kryeministrit Ramush Haradinajt në orët e fundit para nënshkrimit të koalicioneve ishte vështirë e refuzueshme.
Andaj edhe ndodhi riktheksoi Limaj.
“S’ka asnjë dileme. Kur është dy orë para një vendimi të tillë normal që je para një veprimi të kryer”, ka thënë Limaj.
Limaj thotë se kur Haradinaj i komunikoi për herë të parë për koalicionin me PDK-në, e cila ndodhi dy orë më herët, mendonte se po bëhej fjalë për ndonjë shaka.
“Nisma asnjëherë nuk do të lejojë që të bie në situata të tilla, asnjëherë”, ka thënë Limaj.
“Nuk bën me ndodh në Kosovë mu ndërtu koalicionet për një orë, ka ndodh, nuk bën me ndodh më”.