Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

99% e 173 mostrave të testuara kanë rezultuar me variantin Delta

99 për qind e mostrave të cilat janë dërguar jashtë vendit, kanë rezultuar pozitivë për variantin Delta.

Kështu tha ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në konferencë për media.

“Prej 173 mostrave nga rezultatet që na kanë ardhur 171 apo 99.83 për qind prej tyre kanë qenë nga varianti Delta, me përhapje katër herë më shpejt se varianti Alfa i virusit”, ka thënë ai.

Vitia ka paraqitur edhe masat e reja për parandalimin e COVID-19 dhe do t’ia paraqes Qeverisë për miratim nesër.

“Kjo përhapje e bën situatën epidemiologjike shumë serioze. Në SHSKUK deri sot janë 468 pacientë. Kjo valë e re kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, ka thënë ministri Vitia.

“Qysh nesër do t’i propozojmë qeverisë të vendosë për masa kufizuese që do prekin disa sektorë. Do propozojmë të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë dhe do propozojmë një zgjidhje edhe për dasmat, meqë janë ndarë datat për to. Arsyeja pse masat do zbatohen në këta sektorë është sepse shpërndarja më e madhe po vjen nga to dhe nga mosrespektimi i masave në fuqi. SHSKUK dhe spitalet e përgjithshme kanë filluar t’i mobilizojnë kapacitetet”, shtoi Vitia.

Vitia ka bërë thirrje për vaksinim. Ai tha se vaksina ka mjaftueshëm dhe qytetarët mund ta zgjedhin me cilën duan të vaksinohen. Ka treguar se rastet që po trajtohen në QKUK e që janë të vaksinuar po e kalojnë shumë më lehtë sëmundjen, se sa ata që nuk janë të vaksinuar.

Masat e reja do të jenë në fuqi deri më 1 shtator. 

Artikuj të ngjashëm