Arbëri

Mustafa: Gjakova meriton shumë më shumë investime

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar sot në Gjakovë 27-vjetorin e themelimit të Degës në këtë Komunë.

Para të pranishmëve foli kreu i LDK-së e kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola.

Duke uruar përvjetorin e 27-të, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar Presidentin Ibrahim Rugova, Fehmi Aganin dhe të gjithë veprimtarët që kontribuuan në themelimin dhe fuqizimin e LDK-së, dhe që përmes LDK-së dhanë kontributin e tyre në arritjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.

Kryetari Mustafa, tregoi se ka vizituar edhe Aeroportin e Gjakovës, duke bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të shohë të gjitha mundësitë që ai të aktivizohet sa më shpejt. Ai tha se tani është koha që të bëhet maksimumi që ato pasuri dhe kapacitete që i ka Kosova të vihen në funksion.

Mustafa theksoi po ashtu se në Gjakovë po investohet edhe në infrastrukturë, në energjetikë, në arsim dhe shëndetësi.

“Gjakova meriton shumë më shumë investime dhe shumë më shumë kujdesin e qeverisjes qendrore edhe tani edhe në të ardhmen për arsye se kontributi i Gjakovës në çlirimin e vendit dhe në shtetndërtim është i pamohueshëm. Ju e meritoni që ky kontribut të vlerësohet e të ndërtohet edhe më tutje si vlerë e jona e përbashkët”, tha kryetari Mustafa.

Më tutje, kryetari i LDK-së, ka folur për rolin e LDK-së në kuadër të Partive Popullore Evropiane dhe prezantimin e qëndrimeve dhe përkushtimit të Kosovës për forcimin e shtetit, zhvillimin ekonomik e demokratik, për rrugën integruese evropiane dhe për kontributin e Kosovës në stabilitetin dhe paqen në rajon.

“Ne duhet të bëjmë më shumë në Kosovë sepse Evropa nuk do të bëjë më shumë për Kosovën nëse ne nuk do të bëjmë për veten. Prandaj, disa vendime janë vendime tonat, të cilat ne duhet t’i marrim, për arsye se të tjerët presin që ne ta marrim pronësinë dhe përgjegjësinë për vendimet të cilat i marrim në Kosovë. Marrja e atyre vendimeve do të na hap rrugën e integrimeve dhe të përkrahjes së BE-së dhe SHBA-ve”, tha kryetari Mustafa.

Më tutje, Mustafa ka folur për dy lajme të kundërta që kanë ardhur për Kosovën duke iu referuar vlerësimit të sekretarit të NATO-s, Stoltenberg, se Kosova është shembull i luftës kundër terrorizmit në Ballkan dhe në këtë pjesë të Evropës dhe vlerësimit të kryetarit të Parlamentit Evropian për arrestimin në Itali të katër të dyshuarve për terrorizëm nga Kosova. Lidhur me këtë të fundit, kryetari Mustafa tha se është shumë dëshpëruese se si ka mundësi që të diçka e tillë të ndodhë në një vend që e ka ndihmuar pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

Prandaj, kryeministri Mustafa ka kërkuar mobilizim të të gjithëve për ndërtimin e shtetit të Kosovës mbi vlerat e saj tradicionale dhe të përhershme.

“Ajo që sot kërkojmë është që t’i ngjeshim radhët tona, të jemi unik, të jemi bashkë si qytetarë të Republikës së Kosovës në rrugën tonë evropiane, rrugën tonë euroatlantike, sepse kjo është rruga e jonë e vetme. Ne, tjetër rrugë nuk kemi dhe këtu s’kemi dallime ndërmjet vete sepse ky është orientim i përbashkët i qytetarëve të Kosovës”, tha kryetari Mustafa.

Krejt në fund, kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa, i ka bërë thirrje të pranishmëve të shumtë në këtë tubim të LDK-së në Gjakovë, që bashkërisht të punojnë që të fitojnë në zgjedhjet lokale në Gjakovë, të punojnë në terren dhe të shpalosin vlerat dhe potencialin qeverisës të LDK-së.

Kryetari i degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola, në fjalën e tij ka përkujtuar etapat kryesore të zhvillimit të LDK-së që nga themelimi 27 vjet më parë, duke përkujtuar veprimtarët, aktivistët dhe personalitetet që kanë vepruar në kuadër të kësaj dege duke dhënë kontribut të çmuar për Gjakovën dhe Kosovën.

“Dega e LDK-së në Gjakovë po përgatitet për hartimin e platformës politike për zgjedhjet lokale 2017. Krahas rekomandimeve që do të vijnë nga qendra, Dega do ta hapë këtë proces edhe në diskutim në nivel të nëndegëve, por kësaj radhe, ajo do të lëshohet edhe në vlerësimin e nevojave të secilit mes, në mënyrë që prezantimi i kërkesave të jetë sa më gjithëpërfshirës. Zgjedhjet e fundit për Forumin Rinor dhe Forumin e Gruas tregojnë për rritjen e interesimit në strukturat e LDK-së”, tha Gola, ndër të tjera.

Kryetari i Degës së LDK-së, Luan Gola, po ashtu, ka thënë se si parti e qendrës djathtë, pjesëtare e vetme nga Kosova në unionin e partive popullore evropiane, LDK elektoratit kosovar i ka ofruar gjithmonë politikën e integrimit evropian dhe ruajtjen e partneritetit me qendrat e vendosjes politike e në veçanti me SHBA.

“Kjo mund t’i hidhërojë oponentët tanë politikë, por ata duhet të kuptojnë se Qeverisja Mustafa në këto 2 vite e gjysmë ka dëshmuar përmes reformës fiskale vendosjen e Kosovës në një pozicion me stabilitet financiar duke mos harruara gatishmërinë e FMN-së për përkrahje që kalon shumën e 100 milionë eurove”, tha Gola, duke shtuar se tashmë të gjithë e pranojnë se klima e të bërit biznes në Kosovë është më e mira deri më tani në Kosovën e pasluftës.

Gola ka folur për Aeroportin e Gjakovës duke shprehur përkushtimin që t’i hapet udhë funksionalizimit të tij në përputhje me mundësitë e organizmit të komponentës ushtarake dhe civile, dhe në harmoni me partnerët dhe miqtë e Kosovës.

Në fund, kryetari Mustafa dhe kryetari Gola kanë shpërndarë mirënjohje për dhjetëra aktivistë të dalluar të LDK-së në Gjakovë. Ndërkaq, dhjetëra të rinj kanë pranuar librezat e anëtarësimit në Degën e LDK-së në Gjakovë, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Gjatë manifestimit, artistë të dalluar të Gjakovës kanë përformuar pika të ndryshme artistike si dhe është lexuar biografia e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.