Arbëri

SHBA mbështet ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan – Plavë

Gjatë ditës së djeshme, kisha ortodokse serbe në Kosovë reagoi në lidhje me punimet që po zhvilloheshin në ndërtimin e rrugës nga Deçani për në Plavë të Malit të Zi.

Ata, bashkë me Listën Serbe e me shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, thanë se me këtë po bëhet shkelje ligjore pasi po ndërhyhet në zonë të mbrojtur.

Ndaj këtyre deklaratave pati reagime nga organet komunale të Deçanit.

Fillimisht ishte kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ai që tha se është i pavërtetë pretendimi i serbëve se po punohet në zonë të mbrojtur pasi nga aty vetëm janë hequr disa gurë që kanë penguar qarkullimin e lirë të automjeteve.

Njëjtë pati reagim edhe nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili tha se rruga Deçan - kufiri me Malin e Zi, e cila ka filluar para një muaji, është duke u zhvilluar pa e cenuar zonën e mbrojtur.

“Punimet janë duke u zhvilluar me një intensitet të kënaqshëm, 5 kilometra nga Manastiri i Deçanit e tutje, ashtu edhe siç jemi zotuar që nga fillimi. Sa i përket se ‘kompania është duke punuar brenda zonës së mbrojtur’, ajo është rrugë malore dhe shumë shpesh, si në çdo rrugë tjetër malore, ka erodime dhe rrëshqitje të dheut dhe gurëve dhe kompania është dashtë të ndërhyjë ashtu siç e ka edhe në kontratë që të hapë rrugën për të qarkulluar automjetet e vogla, qytetarët të cilët i kanë pronat e tyre ku e zhvillojnë veprimtarinë blegtorale e turistike të tyre”, u shpreh Lekaj ndër të tjera, raporton Koha.net.

Mirëpo, në orët e vona të ditës së djeshme, misioni i OSBE-së në Kosovë doli me një deklaratë ku tha janë ndaluar punimet në këtë rrugë.

“E kemi ndjekur me shqetësim atë që duket të jetë ndërtim i paligjshëm i rrugëve, që po vazhdon që nga dje, brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtjes (SPZ) të Manastirit të Deçanit. Mirëpresim vendimin e pasdites së sotme për të ndaluar punimet brenda SPZ-së. Misioni monitorues i OSBE-së ka konfirmuar se punimet në rrugë janë ndaluar dhe makineria e rëndë është larguar nga SPZ”, tha OSBE.

Kjo organizatë tha se çdo punë brenda SPZ-së duhet të jetë në pajtim të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim (IMC) dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët në pajtim me ligjin e Kosovës dhe përkushtimeve ndërkombëtare.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, doli në mbështetje të vendimit për ndalim të punimeve.

“SHBA-ja pajtohet plotësisht me deklaratën e OSBE-së”, tha Delawie në një postim në Twitter.

Edhe më herët gjatë këtij muaji, ambasadori Delawie kishte deklaruar se ndërtimi i rrugëve afër Manastirit të Deçanit është ilegal sipas ligjeve të Kosovës.

“Çështja e rrugës në Deçan është mbyllur më 2014, dhe është konfirmuar sërish dy javë më parë. Ligji i Kosovës thotë se ndërtimi i rrugës përball Manastirit të Deçanit është ilegal. Respektojeni ligjin”, kishte shkruar në Twitter Delawie më 16 maj të këtij viti.

Mbrëmë në orët e mbrëmjes reagoi zyrtarisht edhe Komuna e Deçanit, e cila tha se “personeli i kishës ortodokse serbe po mashtron”, e madje këto “mashtrime” komuna i ka quajtur të “tepruara, dashakeqëse dhe anti-njerëzore”.

“Me 24 prill punimet në rrugën Deçan Bjeshka e Belegut- Kufiri më Malin e Zi kanë filluar jashtë zonës së veçantë të mbrojtur. Me ketë rast Komuna e Deçanit dhe Ministria e Infrastrukturës janë garantues që ky projekt do të vazhdojë jashtë zonës së mbrojtur deri sa të arrihet një vendim nga KZM (Këshilli për Zbatim dhe Monitorim), ku përfaqësues në ketë këshill për absurditetin e kohës janë pesë institucione duke përfshirë Manastirin e Deçanit e që Komuna e Deçanit nuk është njëra nga to”, thuhet në fillim të reagimit të Komunës së Deçanit.

Komuna, sikurse Ministria e Infrastrukturës, tha se kompania e angazhuar ka bërë vetëm heqjen e gurëve nga rruga brenda zonës së veçante si pasojë e rrëshqitjes së dheut të cilat kanë ndodhë si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve në zonën e veçantë më pëlqimin e Manastirit që sipas Ligjit është aktivitet strikt i ndaluar.

“Rrëshqitjet dhe gurët janë larguar më qellim që kjo rrugë të jetë e kalueshme dhe e sigurt për kompaninë dhe qytetarët e shumtë që kalojnë përgjatë kësaj rruge. Ky aktivitet human dhe i domosdoshëm po del që personeli i Manastirit ka pritur një rast për të bërë mashtrimin e radhës. Objektivat e ndërtimit të kësaj rruge janë: paqësore, në harmoni me qëllimin e Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura, në përputhje më kuadrin vizual dhe estetik të zonës, në harmoni me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, arkeologjike, arkitektonike dhe në funksion të ruajtjes dhe të promovimit të trashëgimisë natyrore. Ky aktivitet i renovimit-asfaltimit të rrugës ekzistuese është zhvillim i favorshëm për të gjitha komunitetet”, theksoi komuna e Deçanit në reagimin dërguar mediave.

Komuna thotë se qytetarët e Deçanit, edhe sot e edhe në kohë të më hershme, kanë bashkëjetuar duke respektuar mozaikun e trashëgimisë kulturore fetare “gjë e cila nuk ka ndodhur në të gjitha periudhat historike nga Manastiri kundrejt qytetarëve shqiptar të Deçanit”.

“Koncepti i vetëm i cili udhëheq qytetarët e komunës së Deçanit është koncept zhvillimor dhe i shfrytëzimit të potencialeve dhe resurseve, qasjes më të letë në to për të pasur një standard më të mirë për jetën dhe për familjet tona. Ky është dhe do të jetë qëllimi ynë i vetëm pa mashtruar të tjerët. Në ketë rast, personeli i Manastirit bën mirë të jetë së bashku me konceptin tonë dhe t’i lë anash qëllimet dashakeqëse kundrejt 70 mijë qytetarëve të komunës së Deçanit”, ka thënë më tej Komuna.

“Sa i përket pronave të dhuruara nga shteti gjenocidial serb i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq në vitin 1994-1997 e të cilat ju dhanë edhe me vendimin të gjykatës Kushtetuese të Republikë së Kosovës, vlerësojmë se Manastiri i Deçanit është dashur këtë pronë ta kërkojë vetëm nga qytetarët e Komunës së Deçanit. Për një jemi të sigurt se qytetarët e Komunë së Deçanit asnjëherë nuk janë udhëhequr nga idetë shoviniste dhe të nxitjes së luftërave kjo është e dëshmuar sot e gjithë ditën”, përfundoi reagimi i Komunës së Deçanit.