Arbëri

“90 për qind”, Gërvalla përgënjeshtrohet nga MPB-ja për numrin e veturave që kthyen targat në RKS

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u shpreh të martën se teksa po afrohet fundi i afatit për regjistrim të targave ilegale në RKS, janë rreth 90 për qind e pronarëve që e kanë shfrytëzuar afatin. Sipas saj, pakica prej 10 për qind e veturave me targa ilegale kanë afat edhe dy javë për t’i regjistruar në RKS. Megjithatë, shifra shumë më të ulëta e të ndryshme ka ofruar Ministria e Punëve të Brendshme. Në një përgjigje për KOHËN, ky institucion ka bërë të ditur se të drejtën për t’i kthyer targat ilegale të lëshuara nga Serbia në RKS e kanë shfrytëzuar vetëm 13 qytetarë.

Gërvalla alarmoi në OKB se Serbia po kërcënon me destabilizim në fund të tetorit kur përfundon periudha e regjistrimit të targave.

“Tashmë 90 për qind e pronarëve të veturave kanë kthyer targat ilegale në legale. Është një pakicë prej rreth 10 për qind që ende i ka dy javë në dispozicion. Është e thjeshtë: nëse keni një veturë, duhet të keni sigurim dhe targa legale”, u shpreh ajo duke akuzuar ekstremistët serbë për dhunë ndaj atyre që tashmë kanë shfrytëzuar të drejtën për t’i kthyer targat në legale e duke kritikuar UNMIK-un që s’e ka vënë këtë në raportin për Kosovën.

Për deklaratën e saj replikoi ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, që e cilësoi “shembullin më të mirë të gënjeshtrave” duke thënë se “janë më shumë se 9000 vetura e janë regjistruar vetëm dy”.

Ndërkaq në një përgjigje për KOHËN, MPB-ja ka thënë të enjten se prej kur ka filluar regjistrimi i automjeteve, deri sot 13 automjete janë regjistruar nga targat ilegale në ato RKS.

“Regjistrimet janë bërë në komuna të ndryshme. Nga regjioni 06 – kemi 5 automjete, nga regjioni 02- kemi 4 automjete, nga Regjioni 04 - kemi 2 automjete dhe nga regjioni 01 – kemi 2 automjete”, ka thënë MPB-ja.

MPB-ja ka përsëritur se qytetarët që kanë kthyer veturat në targa legale kanë pësuar.

“Siç e dini, rasti në Leposaviq është shoqëruar me incident pasi pronarit të automjetit të regjistruar me targa RKS, që është pjesëtar i Policisë së Kosovës, i është djegur një pjesë e shtëpisë të njëjtën ditë”, ka thënë MPB-ja. “Që nga dita parë në të gjitha qendrat ka pasur interesim të qytetarëve, por duhet të theksojmë se në veri përkundër interesimit të qytetarëve shihet që ka një propagandë e cila vjen direkt edhe nga Serbia dhe fatkeqësisht ne kemi një incident, do të thotë vetura e parë që është regjistruar në veri, një rreshter policor i Kosovës ka bërë kthimin në targa RKS dhe të njëjtit në orët e mbrëmjes i është sulmuar shtëpia, i është djegur një pjesë e saj, dhe kjo padyshim ka për qëllim frikësimin e qytetarëve të asaj ane. Rasti tjetër ishte kur një tjetër qytetari serb iu dogj depo, një ditë pasi djali i tij bëri regjistrimin e veturës”.

MPB-ja ka thënë se qytetarët në veri janë frikësuar e kërcënuar nga grupet ilegale kriminale, “të cilat jo vetëm që po udhëhiqen, por edhe po financohen nga Vuçiqi e të cilët kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe intimidimin e qytetarëve në veri”.

“Thirrjet për mosregjistrim të veturave nga ana e Vucic që u bën qytetarëve tanë në veri i konsiderojmë si ftesë për luftim të rendit, ligjit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Kjo ministri ka thënë se është e përkushtuar dhe e pakompromis që ta përfundojë me sukses procesin.

“Dritarja e mundësisë është e hapur deri në fund të muajit, me 31 tetor. Fushata jonë për informim sa më të gjerë po vazhdon. Ministri Xhelal Sveçla së fundmi i është adresuar komuniteti serb edhe në gjuhën serbe me qëllim që komunikimi të jetë i drejtpërdrejt. Gjithashtu, tani e tutje të gjithë qytetarët mund të regjistrojnë automjetet e tyre me targa të rajonit që i përkasin, në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve, pavarësisht nga vendbanimi i tyre në Republikën e Kosovës. Siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pike kalimet kufitare. Afati i fundit mbetet data 31 tetor. Fushata e informimit po vazhdon në mënyrë intensive anë e mbanë Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Në korrik në Byronë Kosovare të Sigurimit u tha se në Kosovë vetëm pesë për qind e automjeteve janë të paregjistruara.