Arbëri

“Kompromisi” serb: “Kosova – bashkësi e dy popujve të barabartë”

“Kosova – bashkësi e dy popujve të barabartë në status të dakorduar politik dhe kushtetues-juridik”. Kjo është “zgjidhja” të cilën Serbia do të mundë ta ofrojë si “kompromis”, bazuar në një dokument të hartuar me kërkesë të autoriteteve beogradase, shkruan sot Koha Ditore.

Dokumenti i titulluar “Platforma për zgjidhjen e çështjes së Kosovës: serbët dhe shqiptarët nga ndarja e shumicës deri tek bashkimi i mundshëm” (“Platforma za resavanje Kosovskog pitanja: Srbi i Albanci od vecinske razdvojenosti do moguceg novog spajanja”) është hartuar nga Nenad A. Vasiq, një hulumtues i Institutit për Politikë dhe Ekonomi Ndërkombëtare (Institut Studimor i krijuar nga Qeveria e Serbisë). Kjo “Platformë”, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”, burimet thonë se tashmë është dorëzuar si propozim te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në dokument (i cili pretendon të jetë pozicioni i paralajmëruar i ri i Serbisë ndaj çështjes së Kosovës në përmbylljen e procesit të dialogut të Brukselit) janë numëruar edhe hapat që duhen ndërmarrë në arritjen e kësaj “zgjidhjeje”, e cila, sipas autorit të propozimit, është një “zgjidhje WIN-WIN”, që nënkupton se me të “në shumicë kënaqen edhe serbët, edhe shqiptarët”. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).