Arbëri

Rikonfirmohet njohja e pavarësisë së Kosovës nga Guinea-Bissau

Rreth 3 muaj pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se Guinea-Bissau e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka ardhur edhe demanti për këtë pretendim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se ka takuar sot ministrin e Shtetit dhe shef i Shtatmadhorisë së presidentit të Guinea-Bissau, Fabien Sagna dhe këshilltarin e presidentit, Paulino Cabral, të cilët edhe ia kanë rikonfirmuar njohjen e shtetit të tyre për Kosovën.

“Në këtë takim, ministri i shtetit të Guinea-Bissau, Fabien Sagna ia dorëzoi presidentit Thaçi letrën e presidenti të Guinea-Bissau, José Mário Vaz, me të cilën rikonfirmohet njohja e Kosovës nga ky shtet”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës, raporton Koha.net.

Presidenti Thaçi ndërkaq i ka falënderuar ata për prezencën e tyre, pikërisht në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo është dëshmia më e mirë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Guinea-Bissau janë më të forta sesa çdo përpjekje për t’i lënduar ato.

“Falënderoj presidentin Vaz, qeverinë tuaj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kosova do të jetë gjithmonë një shtet mik i juaji dhe synojmë të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin”, ka thënë Presidenti.

Nga ana tjetër, ministri i Shtetit dhe shef i Shtatmadhorisë të presidentit të Guinea-Bissau, Fabien Sagna në emër të presidentit Vaz, ka uruar presidentin dhe popullin e Kosovës për dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Ndërkaq, më 30 janar të këtij viti, edhe kreu i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ekskluzivisht në Rubikon të KTV-së pati prezantuar notën e kthimit të njohjes verbale nga Guinea-Bissau.

Kjo notë, sipas Pacollit, i është dërguar tashmë edhe Serbisë.

Me notë njoftohet se shteti afrikan pas tërheqjes së njohjes së Kosovës, e cila erdhi si rrjedhojë e lobimit serb kundër shtetit kosovar, Gunea-Bissau vazhdon ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Kujtojmë se më 21 nëntor të vitit të kaluar, ministri serb Daçiq pati prezantuar një letër përmes së cilës pretendonte se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Guinea-Bissaut është tërhequr dhe se këtë ia kishte konfirmuar kryeministri i Guinea-Bissaut.

Daçiq po ashtu kishte thënë se ky shtet i kishte dërguar vendimin edhe Kosovës, dhe të njëjtin vendim e ka pranuar edhe diplomacia serbe.