Rreth 5 kilogramë peshon çanta e një nxënësi të klasës së shtatë vetëm me gjysmën e librave, sipas orarit mësimor. Përndryshe, pesha do të shkonte mbi 6 kg.
Për t’ua lehtësuar sadopak, prindërit i bartin çantat e fëmijëve të tyre dhe i shoqërojnë deri në shkollë. Por, ka edhe raste të tilla kur nxënësit kanë gjetur çanta në formë të valixhes, vetëm që të mos bartin barrë të rëndë mbi shpinë.
Instituti për Edukim “Ed guard”, ka hulumtuar këtë problem dhe thotë se një nxënës i klasës së parë që peshon rreth 25 kilogramë, për 5 ditë mësimi mbi supet e veta bart peshë rreth 4 kg.
E, një nxënës i klasës së pestë, i cili peshon rreth 42 kilogramë, ka çantë prej rreth 6-kilogramësh. Për pasojë është i madh numri i nxënësve që kërkojnë ndihmë mjekësore.
Lah Nitaj, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, thotë se kanë bërë aq sa duhet në këtë drejtim, si dhe po punojnë në krijimin e ligjit për tekste të reja mësimore.