Arbëri

Vetëvendosje dhe LDK nuk lëkunden në qëndrimet e tyre për demarkacionin

Descriptive Text

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu dhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kanë treguar qëndrimet e këtyre dy partive për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Koha.net, ka thënë se vazhdojnë të jenë kundër marrëveshjes për demarkacion. Ka shtuar se si Lëvizje presin nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që ditën e hënë të kërkojë edhe nga deputetët tjerë që të mos e përkrahin këtë marrëveshje.

“Qëndrimi jonë në raport me marrëveshjen aktuale e cila është e dëmshme sepse i falë mbi 8200 ha është i qartë. Ne jemi kundër kësaj marrëveshje madje presim nga z.Haradinaj, që në seancën kur do të jetë kjo pikë e rendit të ditës, përmes foltores së Kuvendit, të kërkoj nga deputetët të mos e përkrahin atë marrëveshje. Tani kemi edhe një raport të përpiluar nga Komisioni i mandatuar nga z.Haradinaj, në krye me Shpejtim Bulliqin, raport i cili është shumë profesional i cili dëshmon që Kosova ka humbur territor. Marrëveshja e tillë nuk duhet në asnjë mënyrë të marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit”, tha Haxhiu.

Ajo tha se tani numri i deputetëve që janë kundër kësaj marrëveshje është më i madh.

“Rrethanat në këtë legjislaturë janë të tjera nga ato që ishin në mandatin e kaluar. Tani numri i atyre që e kundërshtojnë këtë marrëveshje është shumë më i madh, përveç 32 deputetëve të grupit tonë parlamentar, kundër kësaj marrëveshje vazhdojnë të jenë Nisma dhe AAK andaj nuk besoj që kemi nevojë për metodat e legjislaturës së kaluar sepse jemi në rrethana më të favorshme”, tha tutje Haxhiu për Koha.net.

Ndërkaq, Hoti ka thënë se qëndrimi i LDK-së, mbetet i pandryshuar dhe do ta votojnë demarkacionin.

“Qëndrimi është i pandryshuar. Kjo marrëveshje është dashur të kryhet para dy vite. U bë kauzë e rrejshme politike dhe qytetarët mbeten të izoluar. Tash po detyrohen ta sjellin të njëjtën. Duhet t'i kërkojnë falje secilit qytetar”, ka thënë Hoti për Koha.net.

Kujtojmë se duhet siguruar 80 vota në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, që BE-ja e kishte vënë kusht për lëvizjen e lirë të kosovarëve.