Arbëri

Lekaj përgjigjet për nxënësit e bllokuar në Brezovicë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, njofton se situata pas reshjeve të dendura të borës ka sjellë probleme në gjithë Kosovën, e kjo me theks të veçantë po haset në vendet malore, transmeton Koha.net.

Ai ka treguar për një rast më specifik në Brezovicë ku janë bllokuar disa nxënës që kanë qenë për vizitë në këtë qendër turistike.

“Një rast specifik është Brezovica, për shkak të makinave që janë parkuar në mënyrë të parregullt, kompania e mirëmbajtjes nuk ka arritur me kohë të bëjë pastrimin e rrugës dhe si rrjedhojë e kësaj janë bllokuar nxënës të cilët kanë qenë në pikën turistike të Brezovicës. Me këtë rast dëshirojë t'i sigurojë të gjithë familjarët e nxënësve që jam në kontakt personalisht me të gjithë faktorët për të bërë të mundur që të lëvizin autobusët dhe automjetet tjera në drejtimet e tyre pa pengesa e pa u rrezikuar jeta e askujt. Ju bëjë thirrje të gjithëve që të jenë bashkëpunues e ndihmues në këtë rast dhe të tjera si kjo. Siguria në rrugë është detyrim i të gjithëve”, ka thënë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.