Arbëri

“Shfuqizimi i Speciales do ta zhyste Kosovën në raport të pakëndshëm me ndërkombëtarët”

Eksperti ligjor, Getoar Mjeku, thotë se deputetët që kanë nënshkruar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme që të zhbëhet Gjykata Speciale, duhet të reflektojnë sepse me këtë kërkesë po shkelin të drejtat tjera kushtetuese.

Duke përmendur Specialen si marrëveshje ndërkombëtare, Mjeku në Express të KTV-së ka thënë se sipas Kushtetutës së Kosovës për t’u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare duhet të votohet me 2/3 e deputetëve, e njëjta procedurë si për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Për deputetët të cilët kanë kërkuar seancën e jashtëzakonshme duhet të kenë parasysh se mungon përkrahja nga kolegët e tyre për të shfuqizuar një ligj me një seancë të jashtëzakonshme. Andaj ata duhet të reflektojnë, ndoshta zgjidhja më e mirë duhet të jetë heqja dorë, pasi e shohin se s’do të ketë rezultat”, ka thënë ai. “Nëse do të mbahej, kjo kishte me e zhytë Kosovën në një raport të pakëndshëm me partnerët ndërkombëtarë”.

Më 22 dhjetor të vitit të shkuar, 43 deputetë me nënshkrimet e tyre kërkuan seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, por kjo seancë nuk arriti të mbahej për shkak të mungesës së kuorumit në Kryesi të Kuvendit. Pas kësaj tentative, ndërkombëtarët kanë thënë se Kosova do të ketë pasoja të rënda nëse e shfuqizon një marrëveshje, të cilën ishte zotuar se do t’i përmbahej.