Arbëri

Haradinaj s’mërzitet për kërcënimin e sindikalistëve të arsimit, kritikon ashpër mësimdhënësit

Rritja e pagave për mësimdhënësit do të jetë ajo që është premtuar gjatë fushatës elektorale.

Këtë edhe njëherë e ka bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj, në një vizitë që i ka bërë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, raporton KTV.

Sindikalistët patën kërcënuar me grevë nëse rritja e pagave do të jetë vetëm për 4 %. Madje, u tha se kjo është rritje shumë e vogël, krahasuar me rritjen prej 100 % të kryeministrit për veten dhe vartësit e tij.

Por, kryeministri nuk është shqetësuar nga ky kërcënim. Sipas tij, trazira mund të ketë, por rritja e pagave bëhet sipas meritës.

Haradinaj ka drejtuar kritika të ashpra për mësimdhënësit. Ai tha se ka të tillë që nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie, ndaj dhe niveli i arsimit është këtu ku është.

Kryeministri po ashtu u shpreh se do të marrë masa për sigurinë në shkolla dhe ndalimin e shpërndarjes së substancave narkotike.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët rreth iniciativës për shndërrimin në fakultete të 6 Universiteteve Publike, ministri Shyqiri Bytyqi, tha se ky vendim do të merret nga mesi i këtij muaji.