Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

63% e të rinjve në Kosovë jetojnë me prindër

Antropologu, Tahir Latifi, ka thënë se shifra e Eurostatit se 63 për qind e të rinjve në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me prindër tregon se kjo praktikë po vazhdon edhe më tutje në Kosovë.

Latifi ka thënë të martën në “Sot” të KTV-së se derisa para shumë vitesh në familjet shqiptare të rinjtë jetonin me prindërit edhe pas martesës, edhe tani të rinjtë vazhdojnë të jetojnë gjatë me prindërit por për shkak se po shtyhet martesa apo bashkëjetesa.

“Të jetuarit me prindërit ka qenë praktikë në familjet shqiptare dhe në Ballkan, mirëpo të jetuarit bashkë ka një kuptim tjetër. Sot në shumicën e rasteve për shkak të karrierës, të rinjtë vendosin shumë më vonë që të hyjnë në partneritet, në martesë, bashkëjetesë apo çfarëdo forme qoftë dhe zgjatet koha e pavarësimit apo krijimit të familjes. Sot vazhdojnë edhe vajzat në kohë më të gjatë që të jetojnë me prindërit e tyre për shkak të karrierës, shkollimit apo punësimit. Nëse dikur kanë jetuar të martuarit, sepse prindër nuk i kanë lënë vetëm, sot vazhdojnë të jetojnë të pamartuar”, ka thënë Latifi.

Sipas tij, planifikimi i familjes është shtyrë për një kohë më të gjatë.

“Sot një i ri dhe një e re nuk mund të kërkojë para ta zëmë për pampersa te nëna ose te babai, prandaj këto rrethana e determinojnë kohëzgjatjen e mbetjes brenda familjes apo mospavarësimin nga familja. Në mungesë të të hyrave të mjaftueshme është zor të krijohet një jetë e pavarur”, është shprehur Latifi.

Sipas tij, Kosova sfidën më të madhe në të ardhmen do ta ketë kujdesin ndaj të moshuarve, për shkak të largimit të të rinjve jashtë shtetit.