Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

6 ish-deputetë të PD-së nën hetim për “dhunë ndaj efektivëve të policisë”

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj 6 ish-deputetëve të PD-së pasi kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë.

Prokurori e Tiranës konfirmon se nën hetim janë ish-deputetët, Flamur Noka, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Anton Frrokaj.

Pas hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, ka ngritur akuzën për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim”, sipas nenit 236/2 te Kodit Penal. Për këtë vepër, Kodi Penal parashikon nga gjobë deri në 7 vite burg.

6 ish-deputetët demokratë po hetohen lidhur me ngjarjen e ndodhur më 16 shkurt 2019, kur pas protestës së opozitës jo parlamentare përballë Kryeministrisë, ish-deputetët hynë forcërisht brenda ambienteve të drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar me dhunë lirimin e militantëve që u shoqëruan nga efektivët e policisë pas akteve të dhunshme gjatë tubimit.

Procedimi penal nga prokuroria nisi pas publikimit në media të këtyre pamjeve, më 24 maj.

Prokuroria ka sqaruar se “pamjet e bëra publike tregojnë sesi Flamur Noka së bashku me Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimi, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi, Anton Frrokaj hyjnë me dhunë në ambientet e Drejtorisë Vendore te Policisë, Tiranë dhe veprojnë në mënyrë të dhunshme ndaj efektivëve të policisë”/.atsh